“Kinezërira me akuzat, 100 mijë € për titullin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2016 | 9:30

“Kinezërira me akuzat, 100 mijë € për titullin”

Me shumë puro në xhep dhe “zem rën në dorë”. Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, me siguri që do të përjetojë sot ndoshta ndeshjen më emocionuese që kur është në krye të skuadrës korçare.

takajPër herë të parë, ekipi që drejton do ta zgjidhë çështjen e titullit në sfidën e fundit të kampionatit. Pas humbjes së një jave më parë në Korçë ndaj Partizanit, Takaj nuk është më njeriu që flet me bindje ashtu siç ka bërë gjithmonë vitet e fundit.

Ai thotë se në këto 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, presidenti i korçarëve tregon takimin e fundit me lojtarët, premion 100 mijë euro në rast të fitimit të titullit si dhe flet për atë që është aluduar gjatë kësaj periudhe, presionin shtetëror ndaj tij.

Ndërsa, i konsideron “kinezërira” hamendësimet më të fundit që janë përhapur në portalet ‘online’ se policia po heton për një tentativë korrupsioni prej 100 mijë eurosh që do t’u ofrohen disa lojtarëve të Flamurtarit për të shitur sfidën e sotme ndaj Skënderbeut.

Takaj

Portalet ‘online’ dhe televizionet kanë raportuar dje lajmin se policia po heton në lidhje me një tentativë korrupsioni ku një personi në Vlorë i janë ofruar 100 mijë euro për t’ua dhënë disa lojtarëve të Flamurtarit në mënyrë që të tolerojnë në sfidën e sotme ndaj Skënderbeut.

Gjithçka ka mbetur në kuadër të burimeve, pasi vetë policia nuk ka dalë me një reagim zyrtar. “Ato janë historira kineze. Unë jam tani me ekipin në ‘Tropikal’ gati për ndeshjen e nesërme (sot) dhe nuk më interesojnë fare këto gjëra dhe diskutime që bëhen”, shprehet Takaj.

Ke pasur presion shtetëror për ndeshjen e nesërme (sot)? “Jo, asnjë lloj presioni”, përgjigjet kreu i korçarëve. Takaj nuk është më ai presidenti që flet me bindje ashtu siç ka bërë gjatë të gjithë këtyre viteve kur ka ardhur puna te titulli. Tashmë, ai e ndien frikën dhe për takimin e sotëm thotë se mund të ndodhë gjithçka.

Megjithatë, për të karikuar sa më shumë lojtarët, Takaj ka vendosur 100 mijë euro premio për titullin. Ke frikë se mund ta humbasësh titullin në ndeshjen e fundit? “90 minuta janë, të dalë si të dalë. Gjithçka mund të ndodhë. Skuadra do të ketë 100 mijë euro premio në rast se arrin të fitojë titullin”, thotë Takaj.

Presidenti i korçarëve nuk dëshiron të komentojë deklaratën e presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu, një ditë më parë në gazetën “Panorama Sport”, i cili tha se Partizani meriton titullin.

“Nuk kam asnjë koment për këtë. Ne kemi ndeshjen tonë nesër (sot) dhe mendojmë vetëm për atë”, përgjigjet Takaj. Ndërkaq, dje presidenti i korçarëve ka qenë thuajse gjatë të gjithë ditës pranë skuadrës duke e karikuar për sfidën e sotme në Vlorë që vlen të gjithë sezonin. Korçarët kanë fituar për pesë sezone radhazi titullin kampion.

BESAR BOZGO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"