“Kimish një lider i lindur”, Myler flet i bindur për suksesin: Bajerni nuk e diskuton titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 13:02


“Kimish një lider i lindur”, Myler flet i bindur për suksesin: Bajerni nuk e diskuton titullin

Para pushimit dyjavor, skuadra e Bajernit nuk fali në Berlin duke marrë në shtëpi tri pikët. Fitorja 4-1 erdhi pas një loje mbresëlënëse të skuadrës kryesuese, e cila kaloi me sukses një pengesë jo të lehtë.

myler kimish

Tomas Myler ishte shumë i lumtur për këtë fitore duke thënë një ditë pas ndeshjes: “Bëmë një ndeshje të mirë. Kishim shumë lojtarë cilësorë në repartin e sulmit, kjo na e bëri dhe më të lehtë fitoren. E dimë që me Komanin, Gnabrinë dhe Sanenë, gjërat bëhen më të thjeshta në sulm dhe shumë më të vështira për kundërshtarin. Pjesa e parë kishte një ritëm të lartë, shënuam dhe më pas morëm kontrollin e ndeshjes. Sigurisht që mund ta kishim evituar golin e pësuar në fund, por nuk mund të shkojë çdo gjë në favorin tonë. Kimish kishte ardhur në Berlin për të marrë tri pikët dhe këtë bëri. Tani mund të shplodhemi dhe të karikojmë bateritë për ndeshjet e ardhshme. Muaji shkurt do të jetë sfidues pasi nis dhe Champions-i”.

PËR TITULLIN- “Nuk ka mbaruar asgjë, edhe pse jemi duke iu afruar më shumë javë pas jave. Borusia po bën një kampionat të mirë dhe nuk mendoj që do të dorëzohen lehtë. Mendoj që çdo gjë do të varet vetëm nga ne. Nëse bëjmë ndeshje si ajo në Berlin, do ta kemi më të lehtë për të mbrojtur titullin dhe për të fituar të 10-in radhazi”.

PËR KIMISHIN- “Joshua është shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë. Ai na kishte munguar. Është kudo, në mbrojtje, në sulm dhe sigurisht dhe te golat. Kaloi një periudhë jo të lehtë, por ashtu si në çdo fushë të jetës, gjithçka kalon dhe duhet të gjesh sërish forcat për të treguar se sa vlen. Por nuk mendoj që Kimish do ta ketë të vështirë, pasi ai është një lider i lindur dhe si i tillë, do të dijë ta kalojë dhe këtë situatë në jetën e tij. Lojtarët, trajneri dhe drejtuesit i kanë qëndruar pranë, ashtu si dhe tifozët të cilët edhe pse të ndarë në mendime për sa i përket deklaratave për vaksinën, nuk e braktisën kurrë”.

PANORAMASPORT.AL