Kimish, mbreti i ri i Bajernit, do të paguhet… 20 milionë euro në vit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2021 | 12:30

Kimish, mbreti i ri i Bajernit, do të paguhet… 20 milionë euro në vit

Firma në kontratën e re të Joshua Kimishit me Bajernin është tharë tashmë. Mesfushori rinovoi deri në vitin 2025 duke firmosur për 4 vite të tjera në “Allianz Arena” të hënën. “Bild” zbulon edhe detajet e kontratës së re të 26-vjeçarit, i cili e negocioi personalisht me klubin, pa pasur nevojën e një menaxheri. E kjo nuk e pengoi yllin e Nagelsmanit që të hynte në listën e lojtarëve më të paguar të klubit.

KIMISH

Fakti që atij i është premtuar shiriti i kapitenit pas largimit të Manuel Nojerit nuk është më një risi. Kimish, është një lider në fushë dhe jashtë saj, dhe tani i përket kategorisë së lojtarëve më të paguar të rekordmenëve gjermanë, në të njëjtin nivel me Levandovskin, Nojerin apo Mylerin (të gjithë paguhen me mbi 15 milionë euro në sezon). Por, duke përfshirë edhe bonuset, rroga e Kimishit mund të shkojë deri në 20 milionë euro në vit, zbulon “Bild”.

Kimish i ndërpreu marrëdhëniet e tij me kompaninë e menaxhimit “fairsport GmbH” në prill dhe prej atëherë e ka marrë vetë në dorë komandën e të ardhmes së tij. “Ishte e rëndësishme që të merrja përgjegjësinë e vendimeve vetë. Në rinovimin tim të fundit në vitin 2018, nuk ia kisha shumë idenë sesi e gjitha kjo do të shkonte. Unë doja që të luftoja vetë për interesat e mia me biseda të hapura dhe të sinqerta me klubin”, tha mesfushori për “Bild”.

Dhe, pikërisht, shmangia e komisioneve të menaxherëve është vlerësuar nga Bajerni, që është treguar bujar me futbollistin, ndryshe nga sa ka bërë kur në mes kanë qenë menaxherë si Pini Zahavi, të cilët kanë kërkuar shifra stratosferike në të shkuarën për Levandovskin apo David Alabën. Në fund të kësaj kontrate, Kimish do të jetë 30-vjeç, dhe pas largimit të kapitenit Manuel Nojer, ai është projektuar për të qenë kapiteni i ardhshëm i rekordmenëve gjermanë.

“Arsyeja kryesore pse e zgjata kontratën është se këtu te Bajerni unë mund ta shijoj pasionin tim çdo ditë”, tha Kimish pas firmës. “Unë kam një skuadër me të cilën mund të arrij të fitoj gjithçka, dhe shumë prej shokëve të skuadrës janë miq në jetën reale. Kjo është arsyeja e parë pse unë nisa të luaj futboll, sepse futbolli duhet të jetë argëtim”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"