KF Elbasani mbetet pa trajner, 36-vjeçari i jep “lamtumirën” verdhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2022 | 11:10

KF Elbasani mbetet pa trajner, 36-vjeçari i jep “lamtumirën” verdhebluve

Anxhelo Suta nuk do të jetë më trajner i KF Elbasanit.

Anxhelo-Suta-OK

Ka qenë vetë tekniku që ka bërë të ditur vendimin me një reagim në rrjetet sociale, duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe veçanërisht presidentin e ndjerë, Arben Lazen.

“Çdo fillim e ka një fund. Këtu përfundon dhe aventura ime me KF Elbasanin. Jam munduar me mish dhe me shpirt për të përfaqësuar Elbasanin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Falënderoj të ndjerin, presidentin e pavdekshëm z.Arben Laze, jo vetëm një president shembullor, por dhe një mik shumë i mirë.

Faleminderit stafit dhe të gjithë çunave që dhanë kontributin e tyre duke sakrifikuar jo pak. Gjithmonë ju do të keni një vend special në zemrën time”, mbyll reagimin e tij Anxhelo Suta, i cili për një sezon e gjysmë drejtoi KF Elbasanin, pa arritur dot që vitin e kaluar ta ngjiste skuadrën në Kategorinë e Parë.

Sakaq, për klubin tani lind detyra për të gjetur “timonierin” e ri dhe me shumë gjasa ai pritet të jetë sërish brenda familjes.

Ndërkohë, nuk ka ende një datë se kur skuadra do të nisë përgatitjet për sezonin e ri futbollistik.

Sezonin e kaluar, verdheblutë morën pjesë në Kategorinë e Dytë, por pa ia dalë dot që të siguronin ngjitjen, ndërsa besohet se sërish këtë sezon do të jetë i njëjti synim, me rivalin kryesor që pritet ta ketë brenda qytetit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"