“Këtë vit luajmë nga Saranda në Shkodër”, flet futbollisti i Besës: Të ndërhyhet në të tria repartet, nxitoni me afrimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2021 | 19:16

“Këtë vit luajmë nga Saranda në Shkodër”, flet futbollisti i Besës: Të ndërhyhet në të tria repartet, nxitoni me afrimet

Ka mjaftuar vetëm një javë, që të krijohet një ide mbi përbërjen dhe forcën e Besës së këtij sezoni. Një ekip ku kanë mbetur pak titullarë, shihet domosdoshmëri për përforcime në të tria repartet.

tafili

Nën urdhrat e trajnerit Ndriçim Kashami janë stërvitur emra si: Dobjani, Tafili, Perja, Muçaj, Kukaj, Dobjani, Hoxhaj, Zeqiri e Zekolli, ndërkohë që të tjerët janë të gjithë të rinj. Si pjesë e kavajasve duhet llogaritur edhe sulmuesi Kaina Nunjesh, që pritet t’i bashkohet grupit këto ditë. Megjithatë, prapë nuk mjafton. Me këtë kontigjent nuk mund të plotësohet as formacioni dhe më mirë se kushdo këtë e “nuhat” një lojtar përvoje si Alsid Tafili. Edhe pse janë gati 50 ditë kohë deri në nisjen e kampionatit, mesfushori mendon se klubi duhet të nxitojë me merkaton. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, shkodrani skanon me detaje atë që ka hapur javën e parë të stërvitjes së verdhezinjve.

“Kemi zhvilluar javën e parë stërvitore dhe konstatoj se grupi ende nuk është plotësuar. Më vjen mirë që u rikthye ish-kapiteni Muçaj apo u afrua një lojtar cilësor si Nertil Hoxhaj, por kjo nuk është e mjaftueshme për objektivat që i kemi vënë vetes për sezonin e ri. Ka një kohë gati 50 ditë nga starti i sezonit, e mjaftueshme për fazën përgatitore, merkaton e çdo gjë. Pavarësisht kësaj, nisur nga përvoja ime në disa klube, shpreh nevojën e plotësimit të grupit sa më shpejt në të tria repartet. Nëse prapavija ka nevojë për qendërmbrojtës, mesfusha dhe sulmi mbeten repartet ku duhet ndërhyrë. Largimi i Peqinit ka lënë Kainën të vetëm në sulm e po kështu unë dhe Muçaj mbetemi alternativat e mesfushës. Në këto kushte, tashmë kur dihet edhe kalendari i ri, duhen përshpejtuar afrimet në ekip. Me sa jam në dijeni, presidenti Bizhdili është në bisedime me disa futbollistë, por mendoj se duhet vendosur sa më shpejt”, u shpreh fillimisht 33-vjeçari.

Ai parashikon një sezon sa të gjatë edhe të lodhshëm, ndaj i mëshon kompletimit të shpejtë të organikës. “Ky sezon do të jetë sa i gjatë aq edhe i vështirë nga formula që do aplikohet. Përtej kësaj, do të luajmë nga Saranda në Shkodër. Plotësimi sa më shpejt i grupit do të përbënte një avantazh tonin jo të vogël. Mjaft ekipe ende nuk janë organizuar, por varet nga objektivat që ka secili prej tyre. Besa ka vetëm një objektiv, atë të rikthimit në Superiore e sa më shpejt të plotësohet ekipi, aq më mirë do të jetë për ne”, përfundoi mesfushori.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"