Këtë javë luan kundër Modriç e Kasemiro, Bare sfidon Realin: Nuk kemi frikë askënd

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2021 | 17:37

Këtë javë luan kundër Modriç e Kasemiro, Bare sfidon Realin: Nuk kemi frikë askënd

Ndeshja e të dielës do të jetë speciale për Keidi Baren. Skuadra e tij, Espanjol, ndeshet me Real Madrid dhe mesfushori shpreson të jetë përsëri titullar dhe vendimtar, siç ka qenë në sfidat e fundit për ekipin e tij i cili më në fund gjeti rrugën e duhur në kampionat me fitoren e parë.

bare

Do jetë një duel me një prej skuadrave më të forta në Spanjë e Europë, por që për Keidi Baren është një sfidë ku të gjithë duhet të tregojnë ambicie për të marrë maksimumin.

“Kemi radhën të luajmë kundër Realit, duhet të bëjmë gjërat mirë, me përulësi dhe me ambicie. Për ne, të gjithë ndeshjet janë njëlloj, është e njëjta gjë pavarësisht emrit që kemi përballë, pasi ajo që duam është të fitojmë. Ne nuk kemi frikë askënd”, deklaroi sot mesfushori shqiptar për mediat në Spanjë. “Nuk duhet të kemi kujdes vetëm ndaj Realit, por me të gjithë, pasi të gjithë luajnë në La Liga”.

Espanjol bëri një start të komplikuar të kampionatit dhe nuk ishte në formën më të mirë në javët e para. Por kjo nuk e shqetëson Baren. “Në futboll me raste luan mirë dhe humbet. Për vete shoh pozitiv faktin që ekipi ka luajtur ballë për ballë me të gjithë rivalët, kemi bërë gjëra mirë dhe kemi hyrë në fushë për të marrë tre pikët. Shpresoj që kundër Madridit të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim tre pikët që janë shumë të rëndësishme për ne”, deklaroi mesfushori shqiptar i cili pritet të jetë titullar edhe në këtë sfidë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"