“Këtë herë me Kastriotin fitojmë ne”, mbrojtësi i Teutës: Me shkodranët nuk shkoi asgjë, por korrigjojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2022 | 11:44

“Këtë herë me Kastriotin fitojmë ne”, mbrojtësi i Teutës: Me shkodranët nuk shkoi asgjë, por korrigjojmë

Teuta do të luajë më 14 janar ndaj Kastriotit një ndeshje mjaft të rëndësishme. Fitorja është detyrim për skuadrën e Martinit, që fillimisht do të shijojë disa ditë pushime në prag të Vitit të Ri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi Aleksandër Kuros analizon gjysmën e parë të sezonit dhe thotë hapur se pavarësisht humbjes së fundit, Teuta ka ditur të reagojë.

kuros

Çfarë nuk shkoi ndaj Vllaznisë?

Normalisht asgjë nuk shkoi, por duke parë eksperiencën që kemi, besoj se është një moment që do ta kalojmë si çdo herë tjetër, kur kemi pësuar disfata në kampionat. Gjithmonë pas humbjeve kemi reaguar shumë mirë dhe besoj e shpresoj që ta fitojmë ndeshjen e radhës.

A vjen kjo pauzë në momentin e duhur për ekipin?

Do të na shërbejë për mirë, pasi na jep kohë të përgatitemi me qetësi dhe të rregullojmë gabimet të gjithë si grup. Gjithashtu kam besim ne vete se do të rikuperoj gabimet që kam bërë deri më tani.

Si e shihini ndeshjen e radhës ndaj Kastriotit?

Kastrioti është një skuadër që ka treguar se është “kockë e fortë” për të gjithë ekipet. Është skuadër agresive, mendoj që ne do t’i marrim masat dhe shpresoj të bëhet lojë e bukur dhe në fund të fitojë Teuta.

Keni parë diçka që nuk ka shkuar siç duhet në këto javë?

Gabime ka sa të duash, pasi ekipi është në rritje e sipër. Rëndësi ka që ne duhet të marrim pikët më shumë se çdo gjë tjetër, por dhe ambienti në Durrës të jep mundësi që të punosh në qetësi dhe të ndihmon që ky moment të kalojë.

Me ekipin që keni, deri ku mund të shkojë kjo Teutë?

Teuta i ka të gjithë mundësit të jetë në pjesën e sipërme të klasifikimit, por unë dhe të gjithë shokët e skuadrës shohim ndeshjen e radhës në këto momente që jemi.

Jeni një lojtar që bëni disa role, ku ndiheni më mirë, te Teuta?

Unë jam me idenë që të fitojë skuadra, më pas pozicioni im në fushë nuk është se përben problem. Unë luaj aty ku Teuta ka nevojë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"