Këshilli Bashkiak miraton një fond për nisjen e punës te Vllaznia, Voltana Ademi: Klubi është sulmuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2018 | 20:20

Këshilli Bashkiak miraton një fond për nisjen e punës te Vllaznia, Voltana Ademi: Klubi është sulmuar

Në mbledhjen e djeshme të Këshil lit Bashkiak u miratua akordimi i 200 milionë lekëve të vjetra për klubin e Vllaznisë, për nisjen e sezonit të ri. Këto para do të përdoren për shlyerjen e pagave të prapambetura të kampionatit të kaluar dhe për të nisur më pas punën për sezonin e ri. Pas mbledhjes së djeshme, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, në daljen e saj përpara mediave i mëshoi faktit se politika ka ndikuar në ecurinë e keqe të skuadrës. Presidentja e Vllaznisë nuk përmend emra konkretë, ndërsa nuk i konsideron rastësore kontrollet tatimore.

voltana ademi

Te Vllaznia aktualisht nuk ka administrator, trajner, ndërsa lojtarët po largohen. Në çfarë situate ndodhet klubi shkodran?

Unë i kam kërkuar për disa ditë rresht Këshillit Mbikëqyrës që të mblidhet dhe të bëjë emërimin e administratorit dhe më pas ndërtimin e strukturave të tjera teknike. Për vijimësinë e punës kjo është e domosdoshme, si për të mbyllur kontratat që janë nënshkruar juridikisht, por edhe për të negociuar për të ardhmen. Nëse ata do të vonohen, unë do t’i drejtohem Këshillit Bashkiak që të emërojë administratorin e ri.

Ka një afat se sa kohë do t’u lihet atyre?

Unë jam e kënaqur që siguroj vazhdimësinë financiare dhe kjo ka ndodhur, qoftë edhe me mbledhjen e sotme të Këshillit. Këshilli Mbikëqyrës nuk ka më justifikime. Nuk mund të pres pafund dhe do t’i drejtohem më pas Këshillit Bashkiak.

Keni marrë ndonjë përgjigje nga Suad Lici, përsa i përket postit të administratorit që i keni ofruar?

Pas një konsultimi të gjerë që kemi pasur për Suad Licin, ka pasur një kërkesë për të. Unë kam pasur një takim me Licin dhe ia kam sugjeruar Këshillit Mbikëqyrës. Tashmë, është në dorën e tyre. Unë kam kryer një detyrë përtej asaj që ligji ma lejon. I kam propozuar atë që bota sportive ka kërkuar, por është në dorën e Këshillit për të vendosur.

Këshilli Mbikëqyrës do të ndryshojë apo do t’i shtohet emri i Lazër Matisë?

Mendoj se ajo që duhet të përmirësojë dukshëm klubi Vllaznia, janë rezultatet. Ka një vend vakant në Këshillin Mbikëqyrës dhe unë e kam autorizimin nga Bashkia e Shkodrës që ta zëvendësoj, por edhe për këtë çështje më duhet të marr një konsultim të duhur. Koha nuk pret dhe duhet që të zgjedhim një herë administratorin.

Do ta zgjeroni Këshillin Mbikëqyrës me më shumë se një person?

Kjo nuk është kompetencë e kryetarit të bashkisë, por e Këshillit Bashkiak.

Ervis Kraja do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë?

Në dijeninë time, Kraja ka një kontratë me klubin. Unë nuk jam marrë asnjëherë me kontrata dhe kjo nuk është detyrë e kryetarit të bashkisë. Unë kam nevojë që gjërat të ecin shpejt. Fakti që i kam kërkuar Këshillit për vazhdimësinë e financimit, është një hap për të dhënë indikacione. Do kërkoj që të ecet sa më shpejt.

Bashkia do të vazhdojë ta mbajë klubin e Vllaznisë, çfarë po bëhet me privatizimin pas vlerësimeve që janë bërë?

Ka një vlerësim të bërë nga një subjekt i zgjedhur në bazë të konkurrimit publik. Dokumenti është bërë publik dhe është on-line. Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, do t’i përcjell raportin dhe më pas të shkojmë në një vendimmarrje. Privatizimi kërkon kohë burokratike dhe të ecet para me procesin. Vendimmarrja është e rëndësishme për të mësuar nëse do të shkojmë drejt privatizimit ose jo. Vlera e aksioneve vendoset nga Këshilli. Në raport janë vendosur vlerat në limite fundore dhe më pas është në dorën e pronarit që shet, që të propozojë vlerën që del në treg. I takon Këshillit që të marrë vendim sa më kolegjial, pasi bëhet fjalë për një aset të Shkodrës, as të majtë dhe as të djathtë. Sa më parë të diskutohet aq më mirë është, pavarësisht se sa i gjatë do të jetë procesi.

Është e licencuar kompania që ka bërë vlerësimin e aseteve dhe cilët janë ekspertët?

I kemi botuar në ueb të gjitha procedurat. Bashkia ka detyrim të zbatojë ligjin për Prokurimin Publik që të zgjedhë subjektet e duhura që kanë licencë për të kryer një punë.

Kush është përgjegjës për rënien e Vllaznisë?

Është një pyetje komplekse. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë filtrohen çështjet. Ka një problematikë të mbartur nga vitet e mëparshme. Unë si kryetare e Bashkisë së Shkodrës mbaj përgjegjësinë që më takon. Pavarësisht përpjekjeve të mia, fatkeqësisht nuk kanë qenë rezultative. Në momentin që ne rregulluam gjithçka përsa i përket dokumentacionit, skuadra ra në Kategorinë e Parë. Pavarësisht presionit institucional dhe politik që kjo skuadër ka pasur gjatë viteve dhe kontrollet e tatimeve nuk mendoj se janë rastësore, kur vijnë vetëm për Shkodrën. Në dy raste, vetëm për Vllazninë. Do jetë edhe procesi i ankimimit.

Po thoni që politika ka ndikuar te Vllaznia?

Sigurisht. Edhe pjesa tjetër që lidhet me botën sportive. Fakti që ka tre trajnerë të dorëhequr, ky nuk është një lajm i mirë dhe konteksti ka qenë problematik. Më vjen shumë keq. Vllaznia është e Shkodrës dhe më duhet ta kthej aty ku ishte.

E keni përmendur shumë herë politikën, që ka ndikuar në rënien e Vllaznisë. A ka emra konkretë dhe a jeni përdorur edhe ju politikisht për rënien e skuadrës?

Jo, mendoj se kam qenë korrekte.

Si ka ndërhyrë politika te Vllaznia?

Ka qenë një diskutim i gjatë, kur bëhej fjalë për kontrollin tatimor të të gjitha klubeve të futbollit në Shqipëri. Unë mirëkuptoj të gjithë pjesën administrative të kontrollit të klubit. Në këtë rast, kontrolli tatimor ishte me dy standarde dhe është bërë për të njëjtën periudhë që ishte bërë edhe më parë. Ose jemi ne gabim, ose tatimet gabim. Kam bërë kërkesë që të ketë një vlerësim të tretë nga Drejtoria e Tatimeve.

Por, duhet të jemi shumë naivë të besojmë se Vllaznia ra për faj të Tatimeve apo kontrollit të tyre. Në fushë luajnë futbollistët dhe në stol drejton stafi…

Nuk thashë këtë. Aspekti teknik ka çaluar shumë dhe kjo nuk ka diskutim. Kur flasim për futboll, ata që marrin përsipër, duhet ta çojnë ekipin përpara. Interesat e ndryshme dhe politika ndikuan në rënien e skuadrës.

Keni thënë që e keni kuptuar që gjashtë javët e para që Vllaznia rrezikonte rënien, pse nuk ndërhytë?

Kompetencat e mia janë deri aty ku ligji më takon. Ne kemi marrë në shumë raste garanci nga stafi teknik që mos të shqetësoheshim, pasi ata do t’ia dilnin. Jam përpjekur deri në momentin e fundit. Kam ndërhyrë dhe kam kërkuar përgjegjësinë. Çfarë duhet dhe pse nuk e bëni?! Kam takuar disa herë ekipin dhe kam qenë pranë.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"