Klubit i kalohen 440 milionë lekë, Vllaznia zhbllokohet me legjendën shkodrane. Zbulohen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2020 | 23:59

Klubit i kalohen 440 milionë lekë, Vllaznia zhbllokohet me legjendën shkodrane. Zbulohen prapaskenat

Më në fund zhbllokohet Vllaznia. Klubi shkodran do të ketë në dispozicion një shumë prej 440 milionë lekësh të vjetër për të administruar më së miri pjesën e mbetur të sezonit 2019-2020, si dhe për fillimin e kampionatit të ardhshëm. Dje asambleja e Vllaznia sh.a, mes debatesh e shumë diskutimesh, ka miratuar buxhetin për vitin 2020, duke i hapur rrugë zhbllokimit të situatës së vështirë që çoi pak ditë më parë edhe në bojkotin e futbollistëve kuqeblu nga seancat stërvitore. Tashmë në pak kohë lojtarët dhe stafi do të mund të marrin pagat e prapambetura të muajve shkurt, mars, prill dhe maj.VLLAZNIA

Premtimi ka qenë që para ndeshjes me Flamurtarin më 3 qershor, lojtarët do të marrin të paktën një pagë. Në mbledhjen e së premtes, pika e parë e rendit të ditës, ajo për zvogëlimin e thjeshtuar të kapitalit, nuk u miratua, sepse duhet të ishin të pranishëm 3/4 e anëtarëve të asamblesë. Pika e dytë e rendit të ditës, ajo e buxhetit, u miratua, pavarësisht debateve dhe replikave mes administratorit Suad Lici dhe anëtarit të asamblesë, Arbis Vjerdha.

Po ashtu, asambleja votoi me minimumin e votave pasqyrat financiare të 2018-ës, të cilat kanë ardhur të modifikuara, ashtu si dhe buxheti i 2020-ës. Kjo është mbledhja e parë që Këshilli Bashkiak, i cili në këtë rast ka funksionin e asamblesë së Vllaznisë, u mblodh që nga momenti kur gjithçka u bllokua nga pandemia e “COVID-19”. Bojkoti i stërvitjes nga skuadra ndërgjegjësoi Këshillin Bashkiak të mblidhej për Vllazninë.hysen zmijani

BORDI I RI DHE NGËRÇI

Asambleja e Vllaznia sh.a, përveç buxhetit, ka votuar edhe për një këshill të ri mbikëqyrës ose bord drejtues, siç quhet, ku mes pesë emrave spikat ai i legjendës së futbollit shkodran, Hysen Zmijani. Votimi i bordit ka një ngërç ligjor dhe tashmë mund të çojë në një përplasje me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, për shkak se për miratimin e këshillit mbikëqyrës janë dy ligje. Një ligj është për shoqëritë aksionere, që i jep të drejtë asamblesë që t’i emërojë anëtarët e bordit, ndërsa një ligj i vjetër dhe ai i 2015-ës për vetëqeverisjen vendore ia jep të drejtën për të vendosur emërimin e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Në fakt, që në dhjetor të vitit 2018 këshillit të mëparshëm mbikëqyrës i ka mbaruar mandati dhe që atëherë kryebashkiakja Ademi nuk ka bërë emërimin e anëtarëve të rinj të këshillit mbikëqyrës. Duke mos qenë funksional ky bord, për rrjedhojë kanë mbetur pa raportin përkatës të këtij bordi edhe pasqyrat financiare të 2018-ës të Vllaznia sh.a, të cilat nuk janë dërguar në këshillin e vjetër për t’u miratuar dhe për rrjedhojë janë trashëguar në këshillin aktual.

POLEMIKAT PËR VOTIMIN

Çështja e votimit për anëtarët e rinj të këshillit mbikëqyrës krijoi debate. Nuk ishte një pikë e rendit të ditës, por u fut pas një propozimi nga anëtarët e PS-së, të cilët kërkuan që asambleja të zgjedhë bordin, duke qenë se bashkia nuk e emëron një të tillë. Megjithatë, asambleja ishte e ndërgjegjshme se duke e votuar me ligjin e vjetër, krijon përplasje ligjore dhe kjo çështje mund të shkojë në gjykatë. Anëtari Oltion Luli, pasi çështja e bordit u fut në rend dite, propozoi pesë emra: Myzafer Bushi, Hysen Zmijani, Agron Okaj, Mëhill Shkambi dhe Fatjon Nurja. Anëtarë të tjerë, si Arbis Vjerdha, Suada Selimaj, Hilmi Lakti etj., ishin kundër votimit të këtij bordi, emrat e të cilit dolën brenda ditës. Ata kërkuan më shumë kohë për të propozuar edhe emra të tjerë, që mund të jenë të denjë për të qenë pjesë e këshillit mbikëqyrës. Kryetarja e asamblesë së Vllaznia sh.a, Brisela Kadia, pas debateve mori 10 minuta pushim që kryetarët e grupeve të binin dakord për propozimin e emrave të tjerë, përveç atyre që kishte PS.101099606_3023295957737369_8225187019827970048_o

Pas rikthimit në mbledhje, u propozuan edhe 6 emra të tjerë, si Fatmir Paçrami, Gledis Çeliku, Dorjan Tafa, Nora Deda, Genc Barkiçi dhe Arbana Bekteshi. Në fund të mbledhjes, edhe pse PS ka shumicën në asamble, nuk u arrit që të votoheshin të gjithë emrat e propozuar nga ata vetë. Socialistët patën rrjedhje votash, ndërsa katër nga të propozuarit, Myzafer Bushi, Agron Okaj, Fatjon Nurja dhe Hysen Zmijani, morën votat e mjaftueshme. Të katërt u votuan si anëtarë të këshillit mbikëqyrës, ndërsa Gledis Çeliku i propozuar nga PSD mori 15 vota kundrejt 13 votave që mori Mëhill Shkambi si propozim i PS-së. Kështu, bordi i ri i votuar nga asambleja dhe emrat fitues nga 11 të propozuar janë pikërisht ish-futbollisti Hysen Zmijani, Myzafer Bushi, Agron Okaj, Fatjon Nurja dhe Gledis Çeliku. Një emër i njohur si Fatmir Paçrami (ish-lojtar) mbeti jashtë bordit.

SENAD NIKSHIQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"