Këshilla nga një kampion, Çapja “skanon” Elbasanin: S’ka financa, të rinjtë ta shfrytëzojnë këtë situatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2019 | 21:39

Këshilla nga një kampion, Çapja “skanon” Elbasanin: S’ka financa, të rinjtë ta shfrytëzojnë këtë situatë

Situata që po kalon Elbasani nuk bind askënd për një të ardhme pozitive të klubit verdheblu, sidomos ata që në të kaluarën kanë kontribuuar për këtë skuadër, madje edhe janë shpallur kampionë. Ish-mesfushori i Elbasanit, Dinamos dhe Tiranës, Hetlem Çapja, i cili fitoi titullin me të tria ekipet, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet se bazat janë financat. Sipas elbasanasit, nëse nuk rregullohet ky aspekt, atëherë nuk mund të pretendohet elita.

Capja

Nga ana tjetër, shpresa është te grupmoshat, por ish-mesfushori ka një këshillë edhe për lojtarët që dalin nga akademia. “Fillimisht në futbollin modern bazat janë financat.

Nëse nuk i ke të shëndosha, nuk mund të pretendosh cilësi. Për fat të keq, Elbasani ka vuajtur gjatë kësaj periudhe dhe normalisht të gjithëve u vjen keq. Unë nuk e di sesi janë gjërat këtë sezon, por kam dëgjuar dhe jam informuar kryesisht nëpërmjet medias që mund të ketë zhvillime pozitive në këtë aspekt.

Gjithsesi, mbetet të presim, pasi në kushtet aktuale, nuk shoh mundësi që ekipi sezonin e ardhshëm të pretendojë elitën. Megjithatë, ka ende kohë për të bërë lëvizjet e duhura për sezonin e ri”, u shpreh fillimisht ish-mesfushori i Elbasanit një dekadë më parë.

TË RINJTË – Në krahun tjetër, Çapja sheh një fije shprese te të rinjtë, por ka një këshillë të vlefshme për këta të fundit, pasi u kujton kohën kur hodhi hapat e parë tek Elbasani. “Shpesh shpresa shihet te grup-moshat dhe Elbasani mund të thuhet se është një qytet që prodhon lojtarë.

Capja2

Edhe pse më vjen keq që për momentin nuk i shoh në ato nivele që kanë qenë dikur. Megjithatë, kam një këshillë për ta. Momenti jo i mirë i klubit është si një asist për të rinjtë që të tregojnë veten, pasi ka shumë hapësira. Duhet ta shfrytëzojnë këtë gjë në favorin e tyre dhe të japin maksimumin.

Kur unë isha i ri dhe luaja me ekipin e parë, ka qenë një luftë e fortë, sepse skuadra luante për t’u shpallur kampione dhe ishte e vështirë për një të ri të integrohej. Por, me punë dhe vullnet gjithçka mund të arrihet. Ndaj, duke përfituar nga ky rast, u bëj thirrje të rinjve që ta shfrytëzojnë këtë moment.

Kështu i bëjnë mirë edhe skuadrës, por edhe vetes së tyre. U them të mos e mbajnë mendjen te paratë”, përfundoi ish-futbollisti, i cili tanimë stërvit grup-moshat e klubit privat AF Dean në qytetin e Elbasanit. Në vitet 2004-2006, Çapja shpërtheu tek Elbasani, duke u kurorëzuar edhe kampion.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"