Këshilla dhe kritika në stërvitje, Shkëmbi perfeksionon “krahët” para Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 21:41

Këshilla dhe kritika në stërvitje, Shkëmbi perfeksionon “krahët” para Laçit

Bledi Shkëmbi “shtrydh” Teutën në stërvitje. Seanca e nisur dje në orën 16:00 në “Olympic Parc” e ka shfaqur trajnerin më kërkues se çdo herë tjetër. Edhe pse puna nisi me disa ushtrime të lehta, korçari i stolit të Teutës nuk ka ngurruar që t’i këshillojë dhe t’u tërheqë vëmendjen të tijve, kur gjërat nuk bëheshin siç duhej.

shkembi teutaa

Ekipi u nda sërish në grupe, ndërsa mbrojtja, mesfusha dhe sulmi punuan në reparte të veçuara. Të gjithë këto masa po merren për Laçin, kundërshtar që në këto 8 javë jo vetëm që nuk ka humbur, por ka dëshmuar se ka një mbrojtje hermetike. Ndaj, “djemtë e detit” janë ndalur tek ofensiva, me Latif në krye, që është kthyer në “bomberin” e skuadrës. Stafi teknik e di fare mirë që ndeshje të tilla mund të vendosen nga episodet, ndaj janë marrë me detajet që në dukje mund të jenë të parëndësishme.

Një ish-mesfushor si Shkëmbi e di fare mirë që ky repart mund të bëjë diferencën në një takim, ndaj edhe punën më të madhe ua ka kushtuar pikërisht lojtarëve të këtij sektori. Skuadra u ushtrua për minuta të tëra për të krijuar raste në zona të ngushta dhe për të kaluar me sukses momentet e sikletshme.

Korçari i stolit të durrsakëve preferon të ketë topa më shumë nga krahët dhe qarkullim të dendur, duke i dhënë frymëmarrje ndeshjes. Dhe qëllimi është i thjeshtë, ai pret që të shfrytëzojë cilësitë e lojtarëve që nga linjat, si të mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit ndaj kurbinasve.

teuta

Është ende herët për të krijuar një ide për formacionin, por me Esin Hakajn që mungon, shanset janë që të zëvendësohet nga Arbër Beqja. Një “armë” plus që stafi teknik ka pasur gjatë kësaj kohe në stërvitje janë edhe lojtarët më përvojë. Ata janë kthyer në mbështetës jo vetëm për trajnerin, por edhe të rinjtë.

Tefik Osmani është kapiteni jo vetëm në fushë, por edhe në stërvitje. Kërkon perfeksionin dhe është gjithnjë inkurajues për shokët e tij, jo vetëm në repartin e mbrojtës. Ditmar Bicaj vazhdon të jetë pikë e rëndësishme, duke qenë bashkëpunues dhe përcjellë humorin më të mirë në grup. Isli Hidi tregohet gjithmonë në lartësinë e duhur dhe, pavarësisht moshës, po dëshmon se ka shumë për t’i dhënë kësaj Teute.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"