Kërkon 50 mijë euro dëmshpërblim, Vllazninë e çon në gjyq një sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 19:33

Kërkon 50 mijë euro dëmshpërblim, Vllazninë e çon në gjyq një sulmues

Shtohen gjyqet për Vllazninë. Së fundmi, është ish-sulmuesi i skuadrës shkodrane në sezonin e kaluar, Çarles Atsina, i cili e ka hedhur në gjyq klubin e Vllaznisë dhe kërkon 50 mijë euro. Ky fakt është bërë publik nga vetë drejtuesit aktualë të klubit, administratori Suad Lici dhe drejtori teknik, turku Engin Firat.

carls atsina

Atsina luajti vetëm 10 ndeshje me Vllazninë deri në dhjetor të vitit të kaluar dhe më pas drejtuesit e asaj kohe dëshironin të prishnin kontratën me lojtarin, por ky i fundit nuk pranoi. Më pas, futbollisti e dërgoi çështjen në FIFA dhe tashmë kërkon një dëmshpërblim prej 50 mijë eurosh.

Për herë të parë, drejtuesit aktualë të Vllaznisë kanë bërë publike në faqen zyrtare të klubit në “Facebook” analizën e punës 2-mujore te kuqeblutë.

GJYQI

“Kemi hasur shumë probleme kontratash, për Çinarin, Berishën, Vucajn dhe Pjeshkën. Ish-lojtari Atsina, për shembull, pavarësisht se nuk është paraqitur në sezonin e kaluar, pandershmërisht, kërkon 50.000 euro dëmshpërblim. Ndërkohë, avokati ynë po ndjek të gjitha rastet. Në javët e fundit vërehet se ka shumë informacione të gabuara rreth klubit. Kjo është arsyeja pse po publikojmë këtë përmbledhje në faqen tonë të internetit dhe në vazhdim do t’ju japim të gjitha informacionet që keni nevojë  përmes faqes sonë të internetit”, thuhet në analizën e klubit në lidhje me gjyqin.

atsina1

KONTRATAT

“Ne të gjithë po përballemi me realitetin që skuadra jonë, Vllaznia, është tani në Kategorinë e Parë. Kur filluam, kishim vetëm 3 javë kohë deri në startin e kampionatit. Prandaj, u përqendruam së pari në krijimin e ekipit tonë për sezonin e ri. Natyrisht, për të gjetur lojtarët kaq vonë dhe me një buxhet më të vogël, nuk ishte e lehtë. Gjatë kësaj periudhe, nënshkruam kontratat me brazilian Xhunior, rumunin Ignat, Zogajn, Bilalin e Zeqajn.

U bënë ndërkohë edhe kontratat e reja me lojtarët e sezonit të fundit, që dëshironin të qëndronin me ne. Ne ishim të sigurt se ky ekip do të jetë në gjendje të tregohet i suksesshëm dhe të gjitha transferimet na dhanë performancë të drejtpërdrejtë. Edhe me kaq pak kohë, kemi dashur të ndërtojmë një ekip që të jetë kampion dhe në të njëjtën kohë një ekip me të ardhme. Gjithashtu, na është dashur të përballemi me vështirësitë e fillimit.

atsina

Ne e mbështesim skuadrën me 50% të buxhetit të sezonit të kaluar. Kemi bërë kontratat e reja me lojtarët nga sezoni i fundit me 50% të pagës së sezonit të kaluar. Gjithashtu, i gjithë stafi tjetër ka kontrata 50% më pak se sezoni i kaluar. Bashkia Shkodër duhet të parashikojë në buxhetin e saj pagesën e borxheve të viteve të shkuara. Kemi pasur edhe telefonata ku njerëzit po kërkonin paratë e tyre nga kampi në Slloveni 4 vjet më parë”, thuhet më tej në analizën e klubit.

LOJTARËT

“Për ta bërë të qartë, të gjithë lojtarët ishin në stërvitje me ne, pas kësaj ne vendosëm së bashku me trajnerin Lika të firmosim kontratën me ta. Dhe të gjithë firmosën, megjithëse krahasuar me vitin e kaluar, kishin vlera më të ulëta pagese. Isufi është larguar për te Skënderbeu. Por, të gjithë duhet ta dinë që Isufi i kishte tërhequr dokumentet e tij në maj dhe ishte lojtar i lirë. Nuk e larguam ne atë. Shumë lojtarë u larguan nga klubi pas rënies në Kategorinë e Parë sepse kontratat e tyre mbaruan dhe nuk qëndruan më. Po ta mendojmë, trajneri dhe lojtarët patën vetëm 3 javë për t’u përgatitur, prandaj mendojmë që ata meritojnë respekt nga ana e të gjithëve.

Vllaznia

Qëllimi ynë i vetëm është të jemi kampion. Për këtë, ne kemi të nevojshme mbështetjen e tifozëve të shumtë të Vllaznisë, të cilët janë përherë lojtari ynë i 12-të. Po ashtu, e dimë që nuk kemi një skuadër me shumë alternativa dhe nuk kemi para mjaftueshëm për të bërë transferime të rëndësishme. Në këtë situatë presim nga lojtaret që nuk kanë luajtur shumë gjatë kësaj kohe të përmirësohen dhe të rivalizojnë lojtarët brenda skuadrës. Por, akoma nuk po vërehet kjo gjë. Të gjithë duhet ta dinë që duhet ta meritojnë vendin për të luajtur te Vllaznia me performancë dhe jo me fjalë! Ne besojmë te lojtarët e rinj”, shprehen të bindur drejtuesit Lici e Firat.

SHITJA E LOJTARËVE

“Prandaj, kemi thirrur edhe lojtarë nga U-19 në skuadrën A. E ardhmja e ekipit tonë është të gjejmë talente të rinj dhe t’i përgatisim ata për një karrierë të mirë dhe t’i shesim për të fituar të ardhura për ekipin dhe kjo është mënyra e vetme për Vllazninë që të mbijetojë në nivele të larta. Këtë verë kemi shitur Çinarin për 40.000 euro te Partizani. Kjo është e ardhura më e madhe e një transferte në 4 vitet e kaluara.

VLLAZNIA

Edhe pse është e vështirë të shiten lojtarët nga Kategoria e Parë, ne kemi filluar marketingun. Për transfertat, qëllimi ynë është që së pari të jenë klube ndërkombëtare, të hapur ndaj botës dhe me kontakte ndërkombëtare kudo. Sigurisht, po të jemi sërish në Superiore, ne do të kemi më interes nga klubet e tjera. Megjithatë, që tani kemi filluar disa projekte. Për shembull, bashkëpunimi me një klub në Katar dhe të tjera bashkëpunime rreth botës do të vijojnë”, thuhet në analizën e klubit të Vllaznisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"