Kërkon 30% rritje page, mbrojtësi i Flamurtarit mban “peng” vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2018 | 10:10

Kërkon 30% rritje page, mbrojtësi i Flamurtarit mban “peng” vlonjatët

Financat mbajnë larg Flamurtarit Goran Siljanovskin. Mbrojtësi nga Maqedonia ende nuk ka vendosur për të ardhmen, ndërsa po vonon edhe përgjigjja e tij për klubin vlonjat. Drejtuesit e Flamurtarit kërkojnë që të kenë shërbimet e Siljanovskit, por ai duket se ka vendosur kushte sa i përket kontratës. “Panorama Sport” mëson se Siljanovski kërkon rritje të rrogës dhe vlerës financiare të kontratës me 30%. Kështu, sezonin që u mbyll, futbollisti përfitonte një pagë rreth 4 mijë euro në muaj.

siljanovski

Tashmë ai kërkon rritje nëse do të vijojë të jetë pjesë e Flamurtarit. Për t’u theksuar është fakti se drejtuesit e Flamurtarit janë të gatshëm që për mbrojtësin e kombëtares maqedonase të paguajnë edhe më shumë sesa një vit më parë, por deri më tani, me sa duket, nuk po arrihet akordi për kushtet e reja të kontratës që kërkon Siljanovski. Ky i fundit mban në ‘xhiro’ Flamurtarin edhe për shkak se ka oferta të tjera nga Maqedonia dhe Kroacia. Pak kohë më parë, Siljanovski pranoi se i pëlqente një ofertë që i kishte ardhur nga Shkupi. “Jam në bisedime e sipër. Është e vërtet se më kanë kontaktuar nga FC Shkupi, drejtuesit e së cilës po përgatisin një projekt shumë interesant, që realisht më pëlqeu, mirëpo mund t’ju them se ende nuk kam vendosur. Në lojë gjithashtu është edhe Flamurtari, tre klube nga Maqedonia dhe një nga Kroacia. Prioritet është një transferim jashtë vendit”, ishin fjalët e lojtarit.

Rinovimet – Tre lojtarë kanë rinovuar deri më tani me Flamurtarin. Useini, Musta dhe Bushiç, janë zyrtarisht pjesë e kuqezinjve edhe për një sezon tjetër. Po ashtu, këtyre lojtarëve mund t’u shtohet tashmë edhe Bicaj, i cili pritet të ulet në bisedime në fillim të javës me drejtuesit dhe gjasat janë të shumta që të qëndrojë në Vlorë. Po ashtu kërkohet që të rinovohet kontrata edhe me Danilo Alveshin. Si trajneri Daja ashtu edhe drejtuesit e klubit e kërkojnë brazilianin, por gjithçka varet nga vetë lojtari. Pritet se si do të rrjedhin gjërat në vijim.

Largimet – Artim Pollozhani dhe Franc Veliu me shumë mundësi nuk do të jenë pjesë e Flamurtarit sezonin e ri. Burime pranë klubit pohojnë se deri më tani drejtuesit nuk kanë kontaktuar me këta dy lojtarë dhe duket se janë të lëkundur për vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Të paktën shtatë lojtarë mund të cilësohen si të larguar nga Flamurtari deri më tani. Muaremit, Nurkoviçit, Nedeljkoviçit dhe Hoxhajt që u rikthye te Skënderbeu, duket se u bashkohet edhe Fisnik Zuka. Thuajse të larguar janë edhe Sidibe e Kamara.

E.Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"