Kërkoi strehim në kryeqytet, Kastrioti prish kontratën me mesfushorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2018 | 10:20

Kërkoi strehim në kryeqytet, Kastrioti prish kontratën me mesfushorin

Aventura e mesfushorit Aleksandër Abdel Rrahim me Kastriotin merr fund. “Panorama Sport” mëson se të dy palët i kanë “ndarë rrugët”, duke shkëputur kontratën mes tyre prej disa ditësh. Ky largim vjen në një moment ku kampionati është vetëm në javën e pestë dhe krutanët do ta kenë të vështirë për të gjetur pasuesin e tij, të paktën deri në janar kur të rihapet merkato. Prej javësh, palët nuk po gjenin dakordësi për disa kërkesa shtesë nga lojtari, çka ka sjellë edhe shkëputjen e kontratës dhe largimin përfundimtar nga skuadra të sudanezit me pasaportë greke. I ardhur nga ligat e ulëta greke, Rrahim në shtetin fqinj cilësohej një talent. Në merkaton e verës krutanët u interesuan për shërbimet e tij.

rahim

Përshtypjet e para ishin të mira, pasi qysh në debutim në një miqësore me Kukësin, ai bëri diferencën. Ndaj klubi menjëherë i ofroi një kontratë dhe ra dakord për çdo pikë të saj. Debutimi në ndeshjen hapëse të kampionatit në Gjirokastër, bëri që Abdel Rrahim të marrë vëmendjen e të gjithëve. Por, pas kësaj ndeshjeje, ku krutanët arritën të fitonin, Rrahim qëndroi në Tiranë, të shtunën në darkë dhe të dielën. Dhe këtu nis gjithçka. Si duket jetesa në Tiranë i kish pëlqyer mesfushorit dhe ai refuzonte të jetonte në Krujë, por insistonte të banonte në Tiranë. Nga këtu nis “ftohja” mes futbollistit dhe drejtuesve, të cilët kërkonin që lojtari ashtu si pjesa tjetër e skuadrës të banonte në Krujë. Por, këmbëngulja e lojtarit solli edhe vendimin final për prishjen e kontratës.

kastrioti

KUPA – Kastrioti do të presë sot Korabin në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë e zhvilluar në Peshkopi përfundoi me rezultatin 1-1, ndërsa kualifikimi për më tej do të vendoset nga rezultati i sfidës së sotme në stadiumin “Redi Maloku”. Ndryshe nga ndeshja e parë, ku trajneri Elvis Plori aktivizoi lojtarët që nuk kanë pasur shumë minuta, sot pritet që të luajnë një pjesë e mirë e titullarëve, edhe pse kupa nuk është objektivi primar i krutanëve. Takimi do të luhet pa tifozë për shkak të dënimit të fushës.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"