Kërkohet rikthimi në elitë, Keko frymëzon Korabin për në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2023 | 10:45

Kërkohet rikthimi në elitë, Keko frymëzon Korabin për në Superiore

Korabi vijon përgatitjet për ndeshjen e së dielës në stadiumin “Niko Dovana”, teksa do të luajë shansin e fundit për Superioren kundër Erzenit, që e mbylli kampionatin në vendin e tetë. Pasi kaloi Tomorin dhe Flamurtarin, ekipi dibran shkon me një moral të lartë para ndeshjes me shijakasit.

korabi keko

Sulmuesi Albers Keko po kalon një formë të shkëlqyer, teksa vjen pas shënimit të tre golave në ndeshjet “play off” kundër beratasve dhe vlonjatëve. Ndaj Erzenit është pikërisht ai që frymëzon dibranët për ëndrrën e rikthimit në elitë.

Për herë të fundit Korabi ka qenë në Superiore në sezonin 2016-2017 dhe gjatë këtyre viteve ka qenë gjithnjë pretendent për t’u rikthyer mes më të mirëve.

Trajneri Shpend Kumbarçe nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarë të rëndësishëm për formacionin, pikërisht mesfushorët Henri Marku dhe Antonio Tanushi, që u ndëshkuan me kartonë të kuq ndaj Flamurtarit dhe gjithashtu u pezulluan nga Komisioni i Disiplinës.

Gjithsesi, alternativat nuk mungojnë dhe gjasat janë që si titullarë të rikthehet Kristi Joti, i cili ka qenë lojtar stabël në sezonet e fundit, duke dhënë një kontribut të madh. Sipas të gjitha gjasave, trajneri Kumbarçe do të konfirmojë titullarët që luajtën ndaj Flamurtarit, me dyshimin e vetëm të kapitenit Sokol Mziu, edhe pse ky i fundit po stërvitet normalisht me grupin, teksa e kaloi dëmtimin.

SH. HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"