Kërkohet përmbysja e madhe për mbijetesën, Memelli shkund lojtarët para “finaleve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2021 | 12:11

Kërkohet përmbysja e madhe për mbijetesën, Memelli shkund lojtarët para “finaleve”

Pas dy ditëve pushim të dhëna nga trajneri Migen Memelli, Skënderbeu është rikthyer përgatitjeve për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Kukësit. Fitorja e fundit në Fier mban ende në lojë korçarët për objektivin sezonal që është mbijetesa. Ndaj, edhe për këtë angazhimi duhet të jetë maksimal, pasi ndeshja e radhës kërkon një impenjim të veçantë për korçarë që në këtë moment vijnë plot eufori dhe dëshirë për të bërë mirë.

Memelli Skenderbeu

Eufori, të cilën Memelli kërkon ta përdorë në favor të ekipit të tij, por duke e mbajtur të kontrolluar për të mos pasur pasoja në ndeshjen e radhës. Takimi përballë Kukësit edhe për trajnerin pogradecar është tejet i rëndësishëm, kjo edhe për vetë faktin se kundërshtari i tyre më i afërt luan një ndeshje direkte me Kastriotin. Gjithsesi, i bindur në cilësitë e lojtarëve të tij, Memelli këtë gjë nuk kërkon t’ua përcjellë futbollistëve duke u përsëritur herë pas here se në këtë sezon Skënderbeu luan përballë vetes. I tillë ka qenë edhe fjalimi i djeshëm para seancës stërvitore, që trajneri bardhekuq ka dashur t’ua përcjellë lojtarëve të tij. I bindur në cilësitë e ekipit që drejton, Memelli ka kërkuar përgjegjshmëri dhe seriozitet nga skuadra, për të tentuar më pas goditjen e madhe në “Elbasan Arena” përballë Kukësit.

“Jemi në javët vendimtare për të ardhmen tonë. Fitorja në Fier ishte një shkëndijë shprese për ne dhe na mban ende në pozita të mira për të tentuar arritjen e objektivit sezonal. Pikërisht që këtu dua të nisemi dhe të mundohemi të bëjmë mirë në ndeshjet pasardhëse. Luajmë 11 finale dhe kjo është tejet e rëndësishme, por beteja jonë është e javës që vjen dhe për këtë duhet të angazhohemi totalisht. Nuk jemi në kushtet që të shohim kundërshtarët dhe rezultatet e tyre, por duhet të bëjmë mirë ne pasi kjo na krijon një tjetër situatë. Nëse ne bëmë mirë shumëçka, atëherë po që mund të themi se ia kemi dalë. Kampionati ynë është me veten dhe nuk duhet të shohim asnjë kundërshtar. Të mos shpërqendrohemi dhe të vijojmë punën tonë me ritmin që kemi tashmë”, theksoi Memelli para ekipit.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"