Kërkohet një shpatull për Vlahoviçin, Vrioni është gati me 20 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 21:49

Kërkohet një shpatull për Vlahoviçin, Vrioni është gati me 20 gola

Lamtumirë Paulo Dibala, por me shumë mundësi edhe Alvaro Morata do të përshëndesë, nëse Atletiko e Madridit nuk ul pretendimet e saj nga shifra e akorduar dy vite më parë prej 35 milionësh. Këto dy largime i hapin jo pak telashe Juventusit në pritje të sezonit të ardhshëm.

vrioni

Klubi po punon fort për t’i gjetur një “shpatull” tjetër të rëndësishme Dushan Vlahoviçit, në pritje të rikuperimit të plotë të Federiko Kiezës. Por ndoshta “Zonja e Vjetër” gabon që e bën këtë, duke qenë se ditën e djeshme, Xhakomo Vrioni i ka dërguar zilen e 20-të trajnerit Masimiliano Alegri dhe drejtuesve të klubit. Bomberi shqiptar po bën diçka tmerrësisht fantastike në Austri, teksa dje në ndeshjen e vajtjes për finalen e “play off”-it që të dërgon në Ligën e Konferencës mbajti gjallë shpresat për kualifikim.

Pasi Rapidi kishte kaluar shumë shpejt në avantazh 0-2, Vrioni merr një top në zonë dhe pasi me dy driblime të filtruara tremb dhe nxjerr jashtë kohë dy rivalë që kishte përballë, godet saktë në portë dhe dërgon shifrat në 1-2 për Tirolin, të cilat nuk do të ndryshonin deri në fund të ndeshjes së vajtjes. Gjakftohtësia që bomberi i Kombëtares shqiptare tregoi pasditen e djeshme është e denjë për një “kafshë” të zonës së rreptësi, siç tregojnë edhe 20 realizimet e tij vetëm në Bundesligën austriake.

xhakomo vrioni

Madje, me golin e djeshëm, Vrioni, i cili kujtojmë se është në pronësi të Juventusit, ka kapur edhe kryegolashënuesin Karim Adejemi, i cili u pagua 38 milionë euro nga Borusia e Dortmundit, për të zëvendësuar Erling Halandin. Por ndoshta këtë shifër që u ble Adejemi mund ta meritonte edhe Vrioni, pasi pas tri ditësh ai ka ndeshjen e kthimit të “play off”-it dhe në rast të një goli, do të shpallej “Këpuca e Artë” e kampionatit.

Dhe ndoshta nëse e bën këtë gjë, edhe Juventusi mund t’i kthejë seriozisht sytë nga 23-vjeçari kuqezi, duke mos bërë manovra dhe kërkime të kota në Itali e në Europë. “Zonja e Vjetër” e ka bomberin e saj në shtëpi, të formuar dhe, pse jo, tashmë të pjekur për të pasur një shans në Torino dhe për të qenë së bashku me Kiezën shpatulla e fortë e gjigantit Dushan Vlahoviç.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"