Kërkohet fitorja e tretë radhazi, Mezanit i rikthehet mbrojtësi titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2022 | 16:36

Kërkohet fitorja e tretë radhazi, Mezanit i rikthehet mbrojtësi titullar

Laçi do të mbyllë vitin 2022 me një përballje në transfertë ndaj Kukësit. Kurbinasit do të kërkojnë që të përfitojnë nga forma e dobët që po kalon ekipi verilindor, i cili nuk merr një fitore prej gjashtë ndeshjesh.

LACI

Duket se ardhja e Gentian Mezanit ka ndryshuar frymën te Laçi, pasi janë arritur dy fitore të rëndësishme: në fushën e vështirë të Bylisit dhe një ekipi në formë si Erzeni, të dyja me rezultatin minimal 1-0.

Kjo do të thotë se ka një kompaktësi në grup, ku Laçi ka shfrytëzuar kundërsulmin dhe është treguar cinik.

Me dy triumfet e fundit, Laçi është rikthyer fuqishëm në luftën për Europë, edhe pse kampionati është i gjatë, ndërsa për momentin ndodhet një pikë larg Egnatias që mban vendin e tretë, por edhe 6 pikë larg nga vendi i parë.

SITUATA- Në kampin bardhezi situata është optimiste, teksa kanë vazhduar përgatitjet për ndeshjen e së nesërmes ndaj Kukësit.

E vetmja mungesë për Mezanin do të jetë Rudolf Turkaj. Mbrojtësi do të jetë i pezulluar këtë takim për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë.

Por te kurbinasit kjo nuk shqetëson shumë pasi një rikthim i rëndësishëm do të jetë ai i Albi Allës, i cili kthehet pas dëmtimit dhe pritet që ta nisë titullar këtë takim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"