Kërkohen 1/8-at në Rusi, Anglia luan në qytetin e bombës bërthamore ndaj Panamasë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2018 | 10:12

Kërkohen 1/8-at në Rusi, Anglia luan në qytetin e bombës bërthamore ndaj Panamasë

Për herë të parë në 12 vite, Anglia e nisi një Kupë Bote me një fitore. Sot “Tre Luanët” do të kërkojnë hipotekimin e tri pikëve të tjera kundër Panamasë, për të siguruar biletën në 1/ 8-at dhe luajtur në ndeshjen e fundit kundër Belgjikës vetëm për vendin e parë. Pavarësisht se Kejn është në formë maksimale dhe kërcënimi i kësaj skuadre janë goditjet standarde, skuadra duhet të përmirësojë shënjestrën. Megjithëse krijoi 17 raste kundër tunizianëve, ishullorët pritën deri në shtesë për ta siguruar fitoren.

anglia

SAUTHGEJT – Trajneri Sauthgejt u lëshoi një sfidë mediave që fotografuan aksidentalisht skemën e një formacioni të asistentit Hollënd pak ditë më parë, duke “zbuluar” se ndaj Panamasë Sauthgejt do të bënte dy ndryshime: “Unë e kuptoj rolin e tyre që është të raportojnë lajmin, por problemi është se kështu i japim një avantazh kundërshtarit. Por nuk ka asnjë dramë, sepse ai nuk ishte formacioni titullar. Ajo ishte thjesht një listë stërvitjeje. Nuk e kemi përgatitur Panamanë me asnjë shenjë vetëkënaqësie. Jemi në pozicion për ta kaluar grupin, por duhet të jemi të përqendruar. Panamaja është po aq e fortë sa çdo skuadër tjetër e këtij Botërori”.

NIZHNI NOVGOROD – Pas Vollgogradit, Anglia zhvendoset të luajë sot në Nizhni Novgorod. Një qytet mbi 400 km në Lindje të Moskës, i cili përshkohet për 6 orë me tren normal dhe 4 me një të shpejtësisë së lartë. Ashtu si Vollgogradi, edhe në Nizhni qyteti i pestë më i madh i Rusisë përshkohet nga lumi Vollga. I pagëzuar në kohën e Bashkimit Sovjetik me emrin Gorki (në nder të shkrimtarit nobelist Maksim Gorki), Nizhni Novgorod konsiderohej qyteti më sekret i BS për shkak se ishte qendra e industrisë së prodhimit të armëve. Edhe hartat e rrugëve nuk lejohej të shiteshin deri në mesin e viteve 1970.

SONY DSC

SONY DSC

Qyteti i ekzilit për fizikanin bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe disidentit Andrej Sakharov (shpikësi i bombës me hidrogjen) në vitet 70-80′, u zgjodh për ta bërë të vështirë komunikimin me mbështetësit e Perëndimit. I ndërtuar në vendtakimin e lumit Vollga me lumin Oka, stadiumi “Nizhni Novgorod” ka një kapacitet prej 44,899 vendesh i ndarë në dy tribuna. Deri tani aty ka luajtur Suedia me Korenë e Jugut, ndërsa do të jetë edhe impianti i ndeshjes Argjentinë-Kroaci të enjten. Pas Angli-Panama, ai do të mirëpresë edhe Zvicrën me Kosta Rikën, një ndeshjeje të 1/8-ave dhe çerekfinaleve.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"