“Kërkesat janë të realizueshme”, drejtori juridik i FSHF: Do ketë probleme nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2020 | 12:13

“Kërkesat janë të realizueshme”, drejtori juridik i FSHF: Do ketë probleme nëse…

Drejtori juridik i FSHF, Aldi Topçiu, për emisionin “Sport News” në News 24, është shprehur se kërkesat e bëra nga ana e Ligës janë të realizueshme dhe të arsyeshme, duke shtuar më tej se në pozicionin ku ndodhemi futbolli mund të flasë vetëm me bojkot. Gjithashtu ai shtoi se do të jetë një sanksion i madh nëse këto nuk realizohen.

aldi topciu

“Janë kërkesa të arsyeshme dhe të realizueshme. Janë argumentuar me vite nga ana e FSHF, mënyra se si sporti mund të flasë është me rezultate dhe në këtë rast me bojkot. Është mënyra origjinale e Ligës për ta bërë të dëgjuar zërin e vet. Nuk besoj se mund të flasim për djegie të sezonit, askush nuk e do këtë. Kjo është e reflektuar edhe në emisionet sportive, që jeni kthyer në të njëjtat biseda. Askush nuk e dëshiron këtë situatë, por është një moment i vështirë, por për mendimin tim do ketë një fund pozitiv. Kalendari i ngjeshur është një e keqe më e vogël, nga ajo se çfarë mund të fitojë sporti në fund të kësaj.

Kjo nuk është për mua. Presidenti Duka ishte i drejtpërdrejt që këto janë kërkesa të realizueshme dhe janë premtuar. Kur janë premtuar është bërë një analizë e tyre dhe në fund kishte një lloj tolerance. Nëse realizohet kërkesa për Ligjin e Sponsorizimit, atëherë mund të shohim edhe pikat e tjera.

Mendoj që kjo që po bëhet nuk është gabim dhe në të ardhmen do e shohim se rezultat pozitive. Sanksioni më i madh do jetë nëse nuk realizohen këto qëllime. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për futbollin, por për të gjithë sportin. Ponari gjithashtu është insistues. Kjo nuk është vetëm për futbollin, ka edhe shumë federata që kanë të njëjtën interes. Kërkesat kanë qenë të shtrira në një kohë të gjatë dhe nuk janë realizuar duke u zhbërë rrugës dhe kjo ka cenuar besueshmërinë. Dëmi sportiv nuk është i vogël, por dëmi afatgjatë do jetë më i madh se tre apo katër javë të humbura. Ne jemi të detyruar të njoftojmë UEFA-n. Janë duke monitoruar situatën dhe nuk mund të ketë ndërhyrje për momentin duke qenë se është çështje e brendshme dhe nuk do ndonjë vështirësi për ta kaluar. Është një nismë e përbashkët dhe e të gjithëve”, u shpreh Topçiu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"