Kërkesa për stadiumin, Bashkia e Kamzës refuzon klubin e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2018 | 17:15

Kërkesa për stadiumin, Bashkia e Kamzës refuzon klubin e Kukësit

Klubi i Kukësit ka bërë përpjekje gjatë kësaj jave për të zhvilluar ndeshjet në stadiumin e Kamzës, duke qenë se në këtë qytet ka një popullsi të madhe me origjinë kuksiane. Tentativat e presidentit Safet Gjici duket se kanë dështuar për të bindur presidentin e Kamzës, Naim Qarri, si dhe kryebashkiakun Xhelal Mziu. Në fakt, presidenti Qarri nuk ka dhënë asnjë përgjigje lidhur me kërkesën që kuksianët kanë bërë në drejtim të tij, pasi stadiumi është në pronësi të bashkisë dhe kryetari Mziu është njeriu që vendos.

kamzaa

Por, nga ana e saj, Bashkia ka refuzuar këtë kërkesë, duke dhënë si argument faktin që stadiumi ende nuk e ka marrë veten dhe nuk mund të përballojë dy apo më shumë ndeshje në javë. Në këto kushte, i është refuzuar kërkesa e Kukësit për të zhvilluar ndeshjet në Kamzë, aty ku do të kishte një prani më të madhe tifozësh dhe jo siç ndodhi në “Loro Boriçi”, ku të dielën ishin vetëm 60 shikues. Kjo la një shije të hidhur te kuksianët.

KAMZA – Skuadra e Klodian Duros do të kërkojë të shkojë sa më larg në Kupën e Shqipërisë. Sot në orën 15:30 do të luajë takimin e kthimit ndaj Besës, por jo në stadium. Duke qenë se terreni është në kushte jo optimale, në Kupë është menduar të luhet në fushën e kompleksit të ekipeve kombëtare. Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë në Kavajë ia bën më të lehtë gjërat Kamzës. Duro po përgatitet njëkohësisht për të dyja takimet, si atë me Besën, ashtu edhe të shtunën kundër Laçit.

kamza

Në kampionat e pret një sfidë e vështirë, ku do të synohet fitorja. Duke llogaritur edhe ndeshjen e sotme, që do të jetë pa tifozë, atëherë klubi ka mundësi të shlyejë dënimin e fushës duke paguar në FSHF, në mënyrë që të shtunën ndaj Laçit të luhet me praninë e tifozëve. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vijim. Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"