Kërcënon rekordin historik të Gerd Mylerit, Leva: Më quani të çmendur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 17:10

Kërcënon rekordin historik të Gerd Mylerit, Leva: Më quani të çmendur

Presion nga Dortmundi? Shumë lojtarë të infektuar? Bajerni i Mynihut i dha të gjithëve një përgjigje duke shuar zërat për një krizë. Fitorja 4-0 në transfertë ishte përgjigjja më e mirë për ata që nuk besonin. Një nga heronjtë e ndeshjes në Këln ishte Robert Levandovski, i cili me tripletën e tij i dha 3 pikët skuadrës, e cila ruajti distancën prej 6 pikëve ndaj Dortmundit.

levandovski

Edhe pse pa shumë lojtarë në formacion, Nagelsman arriti t’ia dalë të fitojë në një fushë të vështirë.

300 HERË LEVA
Kur Leva shënoi golin e parë në Këln, Bajerni regjistroi rekordin e radhës me 66 ndeshje radhazi me gol. Por për skuadrën dhe bomberin kjo nuk ishte e mjaftueshme pasi golat nuk u ndalën. Në pjesën e dytë polaku shënoi dhe dy gola të tjerë duke shkuar në 300 gola në Bundesligën gjermane.

Vetëm Gerd Myler ka bërë më mirë se polaku. Leva vazhdon të kryesojë tabelën e golashënuesve me 23 gola në 19 javë. Asnjë lojtar nuk ka arritur ndonjëherë një numër kaq të madh golash në kaq javë. Me të Bajerni është në duar të sigurta.

POLAKU, NË QIELLIN E SHTATË
Njeriu i ndeshjes, Robert Levandovski, nuk u largua pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të cilët e prisnin pas sfidës. Sigurisht që tema ishin 300 golat e shënuar me Bajernin dhe fitorja e rëndësishme ndaj Këlnit për të cilën polaku dhe se:

“Treguam që nga minuta e parë se kishim ardhur për të fituar. Donim të sulmonim dhe të merrnim avantazhin sa më shpejt. Fitorja e Dortmundit na motivoi më shumë. U përballëm ndaj një kundërshtari shumë të fortë siç është Këlni, i cili ka arritur të na vërë në vështirësi në disa raste kur rezultati ishte ende i hapur.”

“Shpresoj që të ketë qenë një ndeshje e bukur për tifozët që na kanë ndjekur nga televizori. 300 gola? Nuk e di, unë nuk dua të ndalem ende, ndoshta mendoni se jam i çmendur, por mendoj që kam ende për të dhënë. Kështu që bëni mirë të vazhdoni të mbani shënime (qesh). Sigurisht që jam i lumtur.”

“Është një shifër e madhe dhe historike për mua. Por nuk dua të ndalem këtu, kam ende shumë për të dhënë. Rruga është e gjatë. Tani të mendojmë se si të rikuperojmë sa më shumë lojtarë për të arritur objektivat që kemi në këtë sezon. Kampionati është ende i gjatë kështu që duhet të ulim kokën dhe të punojmë fort. Borusia nuk do të dorëzohet lehtësisht dhe për këtë arsye nuk duhet të ulim ritmin.”

“I kemi të gjitha mundësitë për të mbrojtur titullin dhe në këtë sezon, ky është dhe objektivi ynë kryesor”, u shpreh polaku pas fitores 4-0 ndaj Këlnit të shtunën në drekë.

Leva vazhdon të jetë mbreti i Bundesligës me 23 golat e shënuar në 19 javë duke bërë që shpresat për një rekord të ri në këtë sezon të jenë të mëdha.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"