Kërcënimi i Mesit, argjentinasi i shpall luftë Bartomeut. Ja prapaskenat që e çojnë në “divorc”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2020 | 23:43

Kërcënimi i Mesit, argjentinasi i shpall luftë Bartomeut. Ja prapaskenat që e çojnë në “divorc”

Mesi është i mërzi tur te Barcelona dhe ka vendosur që t’i japë fund aventurës së tij me fanellën katalanase në 30 qershorin e vitit 2021, datë kur i përfundon kontrata. Sipas “Cadena SER”, ylli argjentinas ka vendosur që të paralizojë negociatat për rinovimin e kontratës dhe të largohet në një tjetër destinacion. Një lajm i tillë shokoi të gjithë opinionin sportiv në Spanjë, por edhe në të gjithë botën. Personi që u trondit më shumë nga ky vendim i Leo Mesit është presidenti i katalanasve, Hozef Maria Bartomeu. Në verën e ardhshme do të zhvillohen zgjedhjet për presidencën e klubit dhe ai do të përdorte kartën e fortë të rinovimit të Leo Mesit. Por, fakti që “Pleshti” ka ngrirë bisedimet për rinovimin e kontratës do të sjellin pasoja të tjera.mesi

Mediat në Spanjë kanë bërë një analizë të situatës. Gazeta “AS” shkruan se fakti që ai ka vendosur të mos rinovojë kontratën nuk do të thotë domosdoshmërisht që do të largohet, por do të presë se çfarë do të ndodhin me zgjedhjet për presidencën, por edhe çfarë do të bëhet me trajnerin Kike Setien. Duket se vendimi për të mos rinovuar është një formë presioni për drejtuesit aktualë, të cilët duhet të marrin vendimet e duhura, por mbi të gjitha për presidentin Bartomeu, i cili pas kësaj lëvizjeje të argjentinasit rrezikon që të humbasë zgjedhjet.

Mbetet për t’u parë nëse Barcelona do të reagojë pas publikimit të këtij informacioni dhe nëse presidenti do të thyejë heshtjen. Leo kishte mundësinë që të largohej nga Barcelona në 10 qershorin e kaluar, por ai vendosi që të qëndronte dhe nuk e aktivizoi klauzolën që kishte në kontratë. Leo vazhdon të ketë ende kontratën e firmosur në 25 nëntorin e vitit 2017, e cila skadon në  30 qershorin e vitit 2021. Pak ditë më parë nga klubi raportonin se Barcelona ishte e qetë për rinovimin e Mesit dhe urime zyrtare konfirmuan se presidenti Bartomeu dhe babai i lojtarit, Horge Mesi kishin nisur të vendosnin bazat për një rinovim deri në vitin 2023 me të njëjtën formulë që kishte kontratën aktuale.MESI BARCA

NDRYSHOI MENDJE

Sipas “SER”, motivi që Leo Mesi ndryshoi mendjen lidhet me gabimet e shumta që kanë bërë drejtuesit e klubit në këto momente. Drejtuesit dhe kapiteni nuk mendojnë njëlloj. Atij nuk i kanë pëlqyer kritikat publike të Erik Abidalit, por as vendimet e trajnerit Kike Setien. Vazhdon të jetë i mërzitur për faktin se klubi nuk po e rikthen Nejmarin. Mesi ndihet i lodhur dhe i shpallur fajtor nga disa media, sipas të cilave drejtuesit nuk e pëlqejnë faktin se ai kërkon të vendosë për formacionin me të cilin duhet të luajë Barcelona. Mediat raportojnë se Leo kërkon që të ketë në sulm Luis Suarezin apo Arturo Vidalin dhe jo Antuan Grizmanin.

Në të gjitha rastet, bëhet fjalë për një tjetër tërmet në shtëpinë e Barcelonës, e cila po kalon orë kritike. Mesi këshilloi disa muaj më parë se kjo skuadër nuk kishte mundësinë që të fitonte Ligën e Kampioneve, ndërsa Setien iu kundërpërgjigj duke thënë se Barcelona është e fortë. Kapiteni nuk qëndroi duarkryq dhe i kujtoi trajnerit eksperiencën që ka në këtë kompeticion. Fakti që skuadra humbi vendin e parë në kampionat zbuloi shumë telashe brenda klubit dhe sulmuesi argjentinas tani është gati që të braktisë “anijen”, e cila është duke u mbytur…

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"