Kërcënime dhe llogari, kur futbolli kthehet në… “luftë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2018 | 12:08

Kërcënime dhe llogari, kur futbolli kthehet në… “luftë”

Akuza, kërcënime, përplasje dhe shumë llogari. Përtej asaj që u prodhua në fushë në ndeshjet e kësaj jave në Kategorinë e Parë, lajmi më i rëndësishëm që u prodhua ishte akuza e trajnerit dhe një lojtari të Vllaznisë B.

korabi vllaznia b

“Do të fus plumbin në ballë”, ishte shprehja kërcënuese që denoncon mesfushori shkodran Ines Isufi se është përdorur ndaj tij nga shefi i klubit të Korabit, Fehmi Mëziu.

Gjithashtu, edhe trajneri i skuadrës shkodrane, Ervis Kraja, akuzoi se është ushtruar presion dhe janë kërcënuar me jetë futbollistët e tij në sfidën në Peshkopi.

elvis kraja

Ndërsa, Mëziu ka mohuar gjithçka, duke akuzuar teknikun shkodran si konfliktual dhe person që krijon probleme në çdo takim. Nëse një frazë e tillë është përdorur me të vërtetë, kjo do të ishte e frikshme. Por, deri në momentin që askush nuk ka një provë bindëse, gjithçka merret me rezerva. Përtej gjithçkaje, në Shqipëri vazhdon të jetë ende i ngulitur mentaliteti se humbja në futboll është fatale dhe fundi i botës.

Në një grup ku diferencat janë shumë të vogla, pritet që gara të jetë e fortë dhe e ashpër deri në fund. Për sa i përket asaj që ka ndodhur në fushë, Korabi fitoi minimalisht 1-0 dhe u ngjit në krye të grupit të “playout”-it. Në sfidën tjetër, Besa është ndalur në fushën e vet në një barazim 2-2 ndaj Burrelit.

Madje, kavajasit i shpëtuan humbjes vetëm në minutat e fundit. Matjanët kanë qenë “macja e zezë” për Besën këtë sezon, ndërsa gjithçka është e hapur për mbijetesën.

meziu-470x298

Në Grupin B, Shënkolli hedh një hap të rëndë- sishëm drejt mbijetesës pas fitores që mori në fushën e vet përballë Shkumbinit. Një takim i fortë që u vendos nga goli i Gegës.

Në takimin tjetër, Iliria humbi një mundësi të mirë për të qenë më e sigurt në renditje. Në ndeshjen ndaj Naftëtarit të vendit të fundit, fushëkrujasit nuk shkuan më shumë se një barazim 0-0.

tirana tomori

Për sa i përket ngjitjes në Superiore, Tirana hedh një hap shumë të rëndësishëm drejt rikthimit në elitë. Bardheblutë nuk falin në sfidën me Tomorin, duke fituar 2-1.Shënojnë Sentamu e Ngoo, ndërsa Halili është në një ditë të mirë, duke dhënë një asist dhe fiton një penallti. Bylis hedh një hap të gabuar në një moment shumë të rëndësishëm të garës.

Përballë Pogradecit që nuk ka asnjë objektiv në këto javë të mbetura, ballshiotët nuk shkojnë më shumë se një barazim 1-1. Në këtë mënyrë, diferenca me Tiranën shkon në katër pikë dhe për Bylisin gjithçka bëhet e vështirë për të kapur vendin e parë.

Kastrioti

Në Grupin A duket se historia është mbyllur dhe Kastrioti pret vetëm zyrtarizimin për sa i përket ngjitjes në Superiore. Krutanët nuk falin në fushën e tyre dhe fitojnë 2-1 ndaj Dinamos dhe janë tetë pikë më shumë se Egnatia e vendit të dytë.

Një ndeshje ku blutë kalojnë të parët në avantazh, por Kastrioti përmbys shpejt dhe siguron 3-pikëshin e radhës. Në përballjen tjetër, Egnatia rikthehet te fitorja, duke mundur minimalisht 1-0 Besëlidhjen, që e nxjerr përfundimisht nga gara për vendin e parë. Një ndeshje shumë e luftuar që është vendosur nga goli i Ezike në minutën e 27-të.

Duke parë renditjet e deritanishme, pritet që të ketë garë të fortë për sa i përket mbijetesës dhe grupit ku është Tirana dhe Bylis, sigurisht me bardheblutë më të avantazhuar.

Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"