“Keqardhje për ne vlonjatët ta shohim ekipin kështu”, Abilaliaj: Flamurtari i pashpresë, Bylisi nuk do ta falë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 20:32

“Keqardhje për ne vlonjatët ta shohim ekipin kështu”, Abilaliaj: Flamurtari i pashpresë, Bylisi nuk do ta falë

Arbër Abilaliaj e sheh të pashpresë situatën te Flamurtari. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi vlonjat thekson se arritje do të ishte nëse Flamurtari do të linte pas Luftëtarin. Sipas Abilaliajt, nuk është parë ndonjëherë që ekipi të qëndronte 9 muaj pa fituar. Ish-lojtari shikon si fajtorë të gjithë aktorët që kanë lidhje me klubin.abilaliaj-700x470 (1)

Abilaliaj, si e komentoni situatën te Flamurtari?

Situata është shumë e vështirë. Do të ishte “arritje” vetëm nëse do të linin pas Luftëtarin, pasi për “playoff” nuk bëhet fjalë me një distancë kaq të madhe. Në këtë moment ky ekip mund të konkurrojë vetëm me Luftëtarin deri në fund.

Mendoni se ardhja e katër brazilianëve ishte një sforco që ndoshta nuk vlen, për shkak të situatës së vështirë?

Jo, unë mendoj të kundërtën. Çdo përforcim është një plus për ekipin. Çfarëdolloj ndihme që të jetë, çfarëdo lojtari që të japë kontributin e vet te ky ekip, është një forcë e shtuar. Grupi nuk ka nevojë vetëm një individ të vetëm, por për të gjithë që të bashkohen rreth e rrotull skuadrës. Ardhja e brazilianëve apo edhe e ndonjë lojtari tjetër mendoj se i shton ekipit mundësinë e përzgjedhjes për të luftuar dhe për të shkuar deri në fund.

 Ju vjen keq kur e shikoni Flamurtarin në këtë situatë?

Absolutisht që po. Është ekipi ku shumë breza dhe unë jemi rritur e kemi kontribuuar për të. Për ne që jemi rritur aty është një ndjesi e jashtëzakonshme. Ke një ndjenjë shumë negative kur shikon që ekipi fitoren e parë në kampionat e mori pas 9 muajsh.Abilaliaj

Ka ndodhur ndonjëherë kjo në historinë e Flamurtarit?

Jo, me sa di unë, nuk ka ndodhur ndonjëherë. Është diçka që lë një shije të hidhur dhe një keqardhje të madhe. Është e kotë që të themi se kush e ka fajin, pasi kam përshtypjen se të gjithë njerëzit që qëndrojnë rreth e rrotull Flamurtarit janë nga pak fajtorë.

Si e shikoni ndeshjen me Bylisin?

Ndeshje shumë e vështirë. Bylisi ka mundur ekipe që kanë ndryshuar rrotën e historisë në këtë kampionat. Flamurtari lufton për mbijetesë, ndërsa Bylisi është një ekip i fortë që ka bërë mirë, sidomos këtë kampionat. Është një ndeshje shumë e vështirë sepse Bylisi në fushën e vet nuk ka falur ekipet e mëdha dhe jo më Flamurtarin.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"