“Keqardhje në Laç”, Kotobelli para sfidës me Erzenin: Shënojmë të parët, të mos i mbivlerësojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 9:50

“Keqardhje në Laç”, Kotobelli para sfidës me Erzenin: Shënojmë të parët, të mos i mbivlerësojmë

Teuta do të luajë sot kualifikimin në takimin e kthimit me Erzenin, i cili do të luhet po në të njëjtin stadium, në “Niko Dovana”, në orën 16:00. Para kësaj sfide, për “Panorama Sport” ka folur mbrojtësi i durrsakëve, Blerim Kotobelli.

kotobelli

Ju vjen keq që dolët pa pikë në Laç?

Keqardhja është shumë e madhe, kjo pasi ekipi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, por futbolli është i pamëshirshëm. E kemi harruar ndeshjen e shkuar dhe do të jemi ndryshe me Erzenin.

Blerim, a është gati Teuta që të bëjë më mirë sesa ndeshja e parë e Kupës me Erzenin?

Duhet të përpiqemi të shënojmë golin e parë ndaj Erzenit dhe pastaj duke parë, duke bërë, sepse çdo ndeshje është histori më vete dhe ka vështirësitë e veta. Nuk duhet të kemi presionin e golit të shpejtë, sepse mund të na çekuilibrojë në fushë. Erzeni është skuadër e mirë, e organizuar, siç është parë deri më tani.

A besoni se do të kualifikoheni për në raundin tjetër?

Do të jetë një ndeshje e fortë me një kundërshtar si Erzeni, por edhe ne kemi një skuadër cilësore dhe kompetitive, pjesa më e madhe e futbollistëve kanë eksperiencë. Do të bëjmë një ndeshje duke tentuar kualifikimin. Shpresojmë t’ia dalim, sepse për këtë gjë jemi përgatitur.

A e keni studiuar Erzenin dhe a i dini pikat e dobëta?

Normalisht ne mundemi të bëjmë më mirë, kemi analizuar kundërshtarin dhe ata nuk janë kot në vendin e 3-të. Shpresoj që ndeshja e kaluar të na bëhet mësim dhe ta kalojmëme sukses këtë sfidë. Ne duhet ta vlerësojmë kundërshtarin dhe e respektojmë për të kaluarën, por në këtë ndeshje nuk ka lidhje e kaluara. Nuk duhet të mbivlerësojmë Erzenin.

Si është gjendja e ekipit?

Në çdo repart duhet të kemi kujdes, nuk duhet të nxitohemi dhe patjetër që duhet të kemi besim në vete. Deri tani na ka mbajtur harmonia në kampionat dhe kemi qenë bashkë, këtë gjë duhet ta bëjmë edhe nesër (sot).

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"