“Kemi vështirësi për merkaton”, drejtori i Luftëtarit: Po stërviten 15 futbollistë, trajner do të jetë Dritan Kristidhi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 20:41

“Kemi vështirësi për merkaton”, drejtori i Luftëtarit: Po stërviten 15 futbollistë, trajner do të jetë Dritan Kristidhi

Luftëtari vazhdon përgatitjet për Kategorinë e Tretë. Edhe pse 15 futbollistë i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së klubit, jo pak vështirësi po hasin në merkato. Grupi ende nuk është kompletuar dhe këtë e pohon vetë edhe drejtori teknik, Mustafa Hysi. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai saktëson edhe çështjen e stolit. Nuk do të jetë vetë trajner i parë, por ia ka besuar këtë pozicion Dritan Kristidhit.
mustafa hysi

Si kanë shkuar ditët e para të stërvitjes për Luftëtarin?
Jam i kënaqur nga këto seanca, pasi lojtarët po punojnë me seriozitet. Kanë treguar përkushtim, pasi bëhet fjalë për rikthimin në ekipin e tyre të zemrës. Jam i bindur që të gjithë bashkë do të bëjmë të pamundurën për t’ia kthyer identitetin Luftëtarit. I vetmi shqetësim për mua dhe për trajnerin Dritan Kristidhi është numri i vogël i lojtarëve të cilët përbëjnë grupin, që duhet plotësuar.

Keni hasur vështirësi në merkato? 
Luftëtarin dua ta bëj me djem gjirokastritë. Pikërisht sot (dje) është afruar ish-futbollisti i Luftëtarit, Nazmi Gaba. Ndihem i vlerësuar nga gatishmëria e shfaqur nga lojtarët që unë kam stërvitur dhe kam promovuar me të drejtë si pjesë e Luftëtarit të mëparshëm. Unë besoj shumë te grupi aktual dhe jam optimist për vazhdimësinë.

A e ka buxhetin e duhur ekipi për t’u ngjitur në Kategorinë e Dytë?
Për momentin nuk e kemi, por në Këshillin Bashkiak janë kaluar 100 milionë lekë të vjetër për AF Luftëtari. Falë këtij buxheti dhe ndihmës së disa donatorëve e dashamirësve, ekipit nuk do t’i mungojë asgjë.

Mund të na thoni emrin e donatorit?
Sigurisht që kjo do të ndodhë, por në një moment të dytë. Për momentin jemi në tratativa me shumë donatorë, të cilët janë shprehur të gatshëm për të ndihmuar financiarisht skuadrën e qytetit, Luftëtarin.

Keni vendosur që të bëni trajnerin, ndërkohë që jeni edhe drejtor. Nuk mendoni se është e vështirë për t’i menaxhuar të dyja pozicionet?
kristidhi

Trajner i parë është Dritan Kristidhi. Unë do të jem në mbështetje të tij, për aq kohë sa ekipi të marrë formë. Sa i përket drejtorit, sigurisht është e vështirë. Unë kam qenë gjithmonë pjesë e fushës, kjo pjesa zyrtare më ka munguar më parë.

Jeni informuar ndërkohë për kategorinë ku do të garoni dhe si ju duket formula?
Kam folur me Agim Monen për mënyrën e organizimit, por pa kaluar në imtësi rreth formulës. Cilado që të jetë ajo (formula) do t’i përshtatemi.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"