“Kemi vënë re se me Memelllin…”, Meksi: Ka disa faktorë për problemet në mbrojtje, Skënderbeu do surprizën ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2021 | 20:02

“Kemi vënë re se me Memelllin…”, Meksi: Ka disa faktorë për problemet në mbrojtje, Skënderbeu do surprizën ndaj Teutës

Skënderbeu është në kërkim të pikëve dhe ndaj Teutës do të kërkojë garancinë për t’i ikur fundit të klasifikimit. Me ardhjen e Migen Memellit në krye të pankinës, korçarët janë të bindur se do të ndryshojë diçka për mirë. Të paktën edhe nga vetë grinta e kryepankinës. I këtij mendimi është kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi. Mbrojtësi i djathtë në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur rreth ndryshimeve që kanë ndodhur në ekip pas ardhjes së Memellit, si dhe për frymën që ka sjellë pogradecari në drejtim.

Jorgo Meksi

“Jemi duke punuar fort dhe duam që të dalim sa më shpejt nga kjo situatë. Trajneri ka vetëm pak ditë në krye të ekipit dhe normalisht që i duhet kohë për t’u përshtatur dhe për të njohur grupin, por edhe për të futur mentalitetin e tij. Gjithsesi, kemi vënë re se diçka ka filluar të lëvizë. Grinta e tij do të na bëjë mirë, pasi ka injektuar një tjetër ritëm tek ekipi. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të punojmë kokulur për të ndryshuar këtë situatë të vështirë. Besimi është ajo që Memelli po kërkon të injektojë te ne, pasi një pjesë duket se e kishte humbur besimin”, theksoi fillimisht kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi.

MBROJTJA – Më pas mbrojtësi i korçarëve është ndalur edhe te prapavija, si pjesa më e dobët e këtij sezoni. Golat e shumtë të pësuar e kanë shqetësuar jo pak kapitenin, që tregon vështirësitë e hasura këtë sezon. Meksi gjithçka ia faturon ndryshimeve të shumta të detyruara nga dëmtimet dhe largimet, por beson se me afrimet e reja do të ndryshojë shumëçka. “Është e dukshme, prapavija jonë nuk ka funksionuar mirë këtë sezon. Kemi gola të pësuar më shumë se çdo ekip dhe ndëshkohemi lehtë. Mund të them se janë shumë faktorët që kanë ndikuar. Largimet në masë në fillim të kampionatit na çorientuan. Më pas ndryshuam skemë për shkak të dëmtimeve që kishim në këtë repart. Luajtëm ndryshe në fazë përgatitore dhe ndryshe në kampionat. Por, tani me afrimet e reja jam besimplotë se do të ndryshojë. Nga janari e këtej kemi një tjetër situatë dhe për këtë e them me bindje. Kemi nevojë për kohë që afrimet e reja të ambientohen me ekipin dhe pak nga pak problemet do të zhduken”, vijoi 25-vjeçari.

jorgo meksi

TEUTA – Ndeshja e radhës është tepër e rëndësishme dhe Meksi e di mirë diçka të tillë. Gjithsesi, kapiteni kërkon të shkundë shokët e skuadrës për të tentuar goditjen e madhe në Durrës. “Luajmë përballë Teutës dhe si e tillë është një takim që kërkon impenjim dhe respekt. Fakti që ata janë lart në renditje tregon shumë për cilësinë. Plus kësaj, luajmë në shtëpinë e tyre dhe normalisht që kjo e vështirëson më shumë takimin. Nuk kanë humbur kurrë në shtëpi këtë sezon dhe ne do të mundohemi t’i surprizojmë. Na duhen pikë dhe në këto kushte nuk mund të lejojmë të largohen kundërshtarët. Ai vend nuk i takon Skënderbeut, prandaj do të punojmë fort dhe do të japim çdo gjë për të marrë pikë në Durrës. Edhe barazimi nuk do të ishte keq kundër tyre”, përfundoi Jorgo Meksi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"