“Kemi ‘ujqër’ në sulm”, Dobjani: Nuk çalojmë në portë, në Burrel luajtëm “pingpong”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2021 | 23:11

“Kemi ‘ujqër’ në sulm”, Dobjani: Nuk çalojmë në portë, në Burrel luajtëm “pingpong”

Në të 4 ndeshjet e luajtura deri tani, Besa është ndëshkuar në 20 minutat e fundit. Një tërheqje që ka sjellë pësimin e golave në fund si përballë Turbinës ashtu edhe ndaj Korabit, ndërkohë që ka rrezikuar jo pak edhe në sfidat e tjera. Për portierin Ilir Dobjani, ekipi duhet t’i zgjidhë ndeshjet që në 45 minutat e para dhe kësaj i mëshon teksa flet për “Panorama Sport”:

Ilir Dobjani

“Duke përjashtuar përballjen në Burrel, ku vërtet luajtëm ‘pingpong’ me fatin tonë, në 3 sfidat e tjera, atë me Cërrikun, Pogradecin e Korabin, patëm raste ideale për t’i mbyllur sfidat që në 45 minutat e para. Nuk ka prapavijë që të guxojë të spostohet përpara, teksa duhet të ruajë dy ‘ujqër’ goli si Canka e Hoxha.

Dua të them se është Besa ajo që duhet të vërë këdo nën presion e jo të ndodhë e kundërta”. I pyetur se si ndihet tashmë nën drejtimin e trajnerit të ri, portieri Dobjani veçon kërkesat e tij sa i takon disiplinës në ekip. “Ne portierët stërvitemi shumë me trajnerin tonë Taulant Guma.

Besa nuk ka çaluar te porta as nga unë dhe as nga kolegu Birja, por gjykoj se në momente të caktuara loje, nisur nga epërsia dhe rastet e shumta, ndoshta kemi menduar se do ta kemi të garantuar fitoren. Këtu kemi gabuar, pasi kundërshtarët duke mos pasur çfarë të humbin, kanë provuar ato pak shanse dhe ia kanë dalë. I kemi të gjitha kualitetet dhe mundësitë të mos i japim kohë asnjë kundërshtari të besojë se mund t’ia dalë. Duhet t’i ndëshkojmë që në fillim kundërshtarët”, përfundoi gardiani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"