“Kemi sulm të frikshëm”, Emiljano Vila: Do të jetë sezoni i Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 17:50

“Kemi sulm të frikshëm”, Emiljano Vila: Do të jetë sezoni i Teutës

“Teuta ka sulmin më të frikshëm në Superiore, titulli kampion mbetet objektivi i vetëm”. Ky është paralajmërimi i mesfushorit durrsak, Emiljano Vila, kundrejt rivalëve, por edhe një premtim për dashamirësit e Teutës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, titullari i “djemve të detit” ka thënë ndër të tjera se Teuta ka shanse të mëdha këtë sezon.

Emiljano Vila

Emiljano, shumë kohë që stërviteni dhe duket se kjo javë do të ketë ndeshje zyrtare. A është gati Teuta për startin?

Sigurisht që jemi gati. Për mendimin tim, kemi bërë një fazë përgatitore shumë të mirë. Them se jemi gati për ndeshjen e parë të kampionatit me Skënderbeun. Shpresoj të fitojmë dhe ta nisim me këmbën e mbarë. Është shumë e rëndësishme të fitohet ndeshja e parë, pastaj të vijojmë me rezultate sa më të mira. Qetësia dhe siguria rriten në skuadër nëse e fillojmë garën me një trepikësh.

Në dy sezonet e fundit kampionatin e keni nisur me ndeshje në Durrës. Çfarë prisni të ndryshojë këtë herë?

Na ka qëlluar ta fillojmë kampionatin dy herë në shtëpi në sezonet e fundit, me Bylisin në sezonin e shkuar dhe me herët me Flamurtarin. Do Zoti rezulton “e treta e vërteta” këtë sezon.

Brenda fushe, normalisht do ta fillonim pak me vështirësi kampionatin, ndërsa duke luajtur para tifozëve tanë, them se do ta kemi më të lehtë. Është gjë e mirë që kalendari na ka caktuar ndeshjen në shtëpi. Me tri pikë të marra do të ishte ndryshe vazhdimi i kampionatit, ku synojmë të bëjmë gjëra të mëdha.

Në skuadër janë bërë disa afrime. Sipas jush, është kjo Teuta më e mirë e viteve të fundit?

Sikurse e përmendët, te Teuta janë bërë shumë afrime cilësore në merkaton e kësaj vere. Sezonet e kaluara kemi pasur luhatje, ndoshta në sulm kemi vuajtur mungesën e finalizimit, kurse këtë herë sulmi ynë është më i frikshmi në Superligë. Shpresoj që të gjitha repartet të bëjnë më të mirën dhe të funksionojnë si grup.

Cilat skuadra shikoni si rivalet më serioze për titullin kampion?

Ka disa rivale në këtë aspekt. Megjithatë, mund të them se rivalët më të fortë janë Tirana, Kukësi dhe Laçi, duke ditur se janë skuadra që kanë bërë merkato të mirë, por fusha e lojës do të tregojë se kush do të luftojë për titull.

Do të ketë ngjeshje kalendari, i druheni?

Besoj se do të jetë një lodhje e madhe për të gjitha ekipet në garë. Edhe ne do të fillojmë të kemi angazhime në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë. Besoj se Teuta ka stolin e mirë dhe kjo gjë duhet shfrytëzuar që të synojmë titullin.

Kundërshtari i parë është Skënderbeu, që thuajse ka ndryshuar totalisht…

Ndaj Skënderbeut duhet të fitojmë patjetër, për ta nisur mbarë kampionatin e ri. Objektivat tanë dihen tashmë, si çdo vit. Kësaj here janë akoma më madhorë dhe të detyrueshëm. Duke parë edhe përbërjen e skuadrës, shpresojmë të jemi kampionët e Shqipërisë në fund të garës.

Mos ka ardhur koha që t’i jepet fund pritjes së titullit kampion, ku për herë të fundit Teuta e ka fituar në vitin 1994?

Dëshira jonë e madhe kjo është, të dalim kampionë. Për këtë gjë janë bërë edhe investimet, është punuar në përgatitoren e verës dhe do të punohet deri në fund të kampionatit. Sikurse e thashë edhe më parë, këtë sezon është shumë i mundur ky objektiv. Shpresojmë shumë, edhe pse e dimë se do të jetë kampionat i gjatë dhe i vështirë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"