“Kemi rival vetëm Apoloninë”, Ilir Daja: Ja çfarë pres nga skuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 10:51

“Kemi rival vetëm Apoloninë”, Ilir Daja: Ja çfarë pres nga skuadra

Partizani do të ndeshet ditën e nesërme në orën 13:50 me Apoloninë në takimin e vlefshëm për javën e katërt të Kategorisë Superiore. Trajneri i të kuqve, Ilir Daja, doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të kësaj sfide, duke u shprehur:

Ilir Daja

Profesor, si e shikoni sfidën ndaj Apolonisë?

Si çdo sfidë të radhës. Në 3 javët e para ndeshjet kanë treguar që nuk ka sfida të lehta. Ekipet janë aty-aty në performancë. Apolonia ka një ekip me djem të rinj që duan të promovohen dhe janë të motivuar në çdo ndeshje. Në të njëjtën shkallë motivimi duhet të jemi dhe ne, se në fund të fundit, çdo ndeshje është e barabartë me 3 pikë.

A jeni i kënaqur me gjendjen e skuadrës deri tani?

Jam i kënaqur me përmirësimin nga ndeshja në ndeshje. Këtë e treguam edhe në ndeshjen e fundit ndaj Laçit. Po konsolidohet edhe manovra, gjërat po shkojnë pozitivisht, ajo që na ngelet është vazhdimësia.

Cila është gjendja e skuadrës para ndeshjes, për sa i përket dëmtimeve?

Nuk duhet të fokusohemi te mungesat. Me këtë kampionat të ngjeshur, me situatën që po kalojmë, do e kemi këtë problematikë gjatë gjithë kohës. Jo vetëm ne, por edhe rivalët. Nuk jemi të plotë, por lojtarët që kemi në dispozicion do të bëjnë maksimumin për të minimizuar mungesat që kemi.

Si është gjendja e mesfushorit Broja?

Broja nuk është stërvitur me ekipin. Ka bërë stërvitje të diferencuar. Nëse edhe sot nuk do të jetë i mundur, nuk do ta sakrifikojmë për nesër. Më mirë një mungesë me 1 ndeshje sa në vazhdimësi.

Prisni Apoloninë e Kupës, apo një skuadër tjetër?

Unë e kam ndjekur ndeshjen e fundit të Apolonisë, pavarësisht se ka përdorur të njëjtën manovër, por ka ndryshuar pak në vendosje. Mendoj që luajnë në fushën e tyre dhe do të jenë më agresivë për të marrë një rezultat pozitiv, presim një Apoloni tjetër.

Keni punuar me repartin e sulmit gjatë kësaj kohe?

Me këtë ngjeshje që ka, ditët nuk janë të favorshme. Dje kemi zhvilluar një seancë që ka zgjatur 90 minuta. Një pjesë ka qenë finalizimi para portës. Natyrshëm duhet të dalim më shumë para portës. Nëse ke shumë raste mund të shkosh në finalizim drejt golit.

A jeni i kënaqur me skuadrën në 3 javët e para dhe si i shikoni kundërshtarët?

Për ta përmbledhur do të thoja që performanca nga ndeshje në ndeshje ka filluar të jetë më e mirë. Kemi një konsolidim të manovrës edhe në mbrojtje edhe në sulm. Kemi pasur vazhdimësi të mirë. Ato gjërat që kemi bërë mirë do të mundohemi t’i shtrijmë në një minutazh më të madh. Sepse brenda ndeshjes kemi pasur oshilacione që janë krejt normale. Më jep besim fakt që djemtë kanë qenë të motivuar maksimalisht dhe kanë bërë mirë nga ndeshja në ndeshje.

Ne kemi rival vetëm Apoloninë, sepse do të fokusohemi te ndeshja e nesërme. Ndeshje pas ndeshje do t’i shohim se cilët mund të jenë rivalët më të fortë dhe jo të fortë. Unë e thashë që në këtë fillim kampionati nuk ka diferenca.

E mendoni derbin?

Jemi foksuar vetëm te ndeshja e nesërme. As ndeshjen që kemi të dielën me Skënderbeun nuk e mendojmë, sepse duhet që të gjithë energjitë psiko-fizike të jenë për ndeshjen e nesërme me Apoloninë. Në fund fare do të kërkojmë të marrim maksimumin.

Çfarë pritet nesër ndryshe nga Partizani në krahasim me ndeshjen e Kupës?

Specifika e Kupës është tjetër në raport me kampionatin. Ekipet janë më të kujdesshme, duke nisur nga fakti që Kupa ka eliminimin dhe nuk të jep shumë mundësi për të rikuperuar. Mendoj do të jetë një ndeshje më e vështirë, sepse është në transfertë.

Ne në këto 4 javët e para, duke llogaritur dhe atë nesër,  kemi luajtur 3 ndeshje në transfertë dhe në 1 kemi qenë pritës. Me problematikat që kanë stadiumet nuk po dimë kush janë ndeshjet brenda dhe kush janë në transfertë. Nga çunat pres të njëjtin motivim si në ndeshjet e tjera dhe konsolidim më të mirë drejt finalizimit. Me rastet e krijuara duhet të shkojmë te goli. Kush shënon i pari ka gati një përqindje shumë të madhe për të shkuar drejt fitores”, u shpreh Daja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"