“Kemi rënie drastike në 20 vite”, Spaho: Lushnja pësoi 43 gola në inferiore, akademia nuk furnizon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2023 | 22:48

“Kemi rënie drastike në 20 vite”, Spaho: Lushnja pësoi 43 gola në inferiore, akademia nuk furnizon

Nëse 20 vite më parë Lushnja do të fitonte 3-1 ndeshjen e “play off”-it me Apoloninë dhe bëhej pjesëmarrëse e formatit të ri të quajtur Kategoria Superiore (një strukturë me 10 skuadra), këtë sezon iu desh të fitonte në “play out-in” 1-0 me Valbonën për të mbetur në Kategorinë e Parë (që këtë vit do të jetë me 10 skuadra).

Spaho

Një rënie drastike, që mund ta evidentojë vetëm dikush që ka qenë në fushë. Nga ajo skuadër e dy dekadave më parë, sot ka mbetur vetëm Mikel Spaho, që trajneri Kristaq Mile e vendosi në portë pa i mbushur 21 vjeç. Portieri mendon se këto dy vitet e fundit janë për t’u harruar, teksa nuk e përtyp dot faktin që janë pësuar 43 gola në një nivel inferior.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai e vendos alarmin tek akademia. Nuk po prodhohen më futbollistë si dikur, ndaj pret që diçka të ndryshojë. “Është mungesë brezash. Lushnja nuk po nxjerr më lojtarë si Prençe, Çuko, Çela, Sefa, Xhafa, etj. Skuadra pëson 43 gola në një nivel inferior. Duhet të bien ‘kambanat’ për akademinë.

Lushnja duhet të furnizohet prej saj me lojtarë që të bindin se kanë të ardhme tek ekipi i parë. Patjetër që duhet një sponsor. Nuk mund ta mbajë gjithë kohën barrën bashkia. Dy sezonet e fundit pastaj nuk duhet të futen fare në historinë e Lushnjës. Janë për t’u harruar. Kemi rrezikuar seriozisht rënien dhe shfaqjet dihen. As merkatoja nuk u bë si duhej.

Kanë ardhur në ekip futbollistë që nuk kanë luajtur në skuadrat nga kanë ardhur. Nuk mund të luash te Lushnja nëse nuk mban peshë. Duke ditur dhe pritshmëritë që ka tifozëria dhe presidenca, lojtarët nuk e kanë justifikuar veten. Duhet një organizim më i mirë për sezonin që vjen. Vetë struktura me 12 skuadra të detyron, pasi do të bien sërish katër.

Lushnja jo vetëm që nuk po pretendon, por dhe me shumë vështirësi po qëndron këtu ku është. Lojtarët që duhet të afrohen sezonin e ardhshëm duhet të kenë peshë në skuadrat ku luajnë. Duhet ndërtuar një ekip që të pretendojë për më lart. Kërkohet një ringritje dhe jo thjesht si dy vitet e fundit për të luftuar qëndrimin në këtë kategori dhe kaq”, përfundoi 40- vjeçari.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"