“Kemi rënë dakord me dy lojtarë”, Ndreu: Ju tregoj planin për elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2019 | 16:06

“Kemi rënë dakord me dy lojtarë”, Ndreu: Ju tregoj planin për elitë

Kastrioti e mbylli se zonin e fundit me keqardhjen e rënies nga Superiorja. E megjithatë, drejtuesit nuk dorëzohen lehtë dhe kanë nisur direkt nga puna për të ndërtuar një ekip që të rikthehet menjëherë në elitë. Eksperienca e marrë vjet u ka shërbyer shumë dhe në njëfarë mënyrë u ka treguar edhe drejtimin që duhet të ndjekin. Sytë janë nga elementët e rinj, të cilët jo vetëm do të kontribuojnë për krutanët, por edhe të jenë potencialë për t’u shitur dhe gjeneruar të ardhura në të ardhmen.

Ndreu

PLANI Ramadan Ndreu i ka idetë e qarta për vazhdimësinë dhe për “Panorama Sport” mundohet të zbulojë diçka rreth planit që po ndërmarrin, por edhe emrave që kanë kontaktuar. “Jemi në vëzhgim të disa elementëve cilësorë, të cilët që do të na bëjnë punë jo vetëm në sezonin aktual, por edhe në vazhdim. Po veprojmë kështu, klubi ka një projekt afatgjatë. Ne po shohim për lojtarë, edhe pse mund të jetë pak herët. Në ditët në vazhdim besojmë se do të ketë të reja. Bazën e ekipit e kemi, ndaj do të ndërhyjmë vetëm aty ku është e nevojshme”, shprehet Ndreu, i cili pas pesë vitesh ka pranuar të rikthehet në krye të Kastriotit dhe tanimë do tentojë ta ngjisë në elitë.

EMRAT Në Krujë, krahas afrimit të elementëve të rinj, mendohet që të merren edhe lojtarë “ekspertë” që mund të ndihmojnë në realizimin e objektivit sezonal. Dy prej emrave më të lakuar këtë periudhë janë Xhuljo Mehmeti dhe Ermir Rezi. Të dy këta lojtarë kanë qenë në të njëjtën “anije” me Ndreun, kur ngjitën Kamzën në Superiore para dy vitesh. Mesfushori dhe sulmuesi me shumë mundësi do të bashkëpunojnë sërish me ish-trajnerin e tyre, këtë herë te Kastrioti. Vetë Ndreu është shprehur se ka njëfarë akordi, ndonëse ende asgjë nuk është mbyllur përfundimisht. “Kemi rënë dakord dhe besoj që do t’i marrim”, shprehet me optimizëm trajneri krutan, i cili po përgatitet që në mesin e korrikut të zbresë në fushë së bashku me një pjesë të mirë të lojtarëve, që e mbyllën sezonin e shkuar në Superiore.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"