“Kemi objektiva më të mëdha se Kukësi”, flet Dedja: Do luftojmë që ta largojmë Vllazninë nga vendi ku jemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2020 | 12:03

“Kemi objektiva më të mëdha se Kukësi”, flet Dedja: Do luftojmë që ta largojmë Vllazninë nga vendi ku jemi

Vllaznia do të presë në shtëpi Kukësin ditën e nesërme, në një ndeshje ku fitorja është shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Në prag të kësaj sfide, për mediat ka folur trajneri i Vllaznisë, Hysen Dedja, i cili është shprehur se skuadra e tij do përpiqet të marrë maksimumin duke shtuar se kanë objektiv më të madhe se Kukësi në këtë moment.

DEDJA

Profesor, cila është gjendja e skuadrës një ditë para sfidës me Kukësin?

Jam shumë i kënaqur nga mënyra e përkushtimit në seancat stërvitore, gjë që e kanë shprehur edhe në dy takimet e fundit, pavarësisht rezultatit në Korçë. Dhe po me këtë objektiv stërvitemi e me të njëjtën psikologji do të futemi në fushë, me synimin e vetëm që ne të marrim rezultat pozitiv. Kuptohet që nuk jemi duke menduar fare se në çfarë vendi jemi në tabelën e klasifikimit. Pra, them se gjendja e ekipit në prag të ndeshjes me Kukësin, është e mirë.

A do të ketë mungesa për këtë ndeshje?

Po, do të kemi sërish mungesa. Këtë herë nuk do të kem të gatshëm Gurishtën që është me kartonë dhe po ashtu edhe Malotën që është i pezulluar nga Disiplina. Nga ana tjetër, nuk do të jetë i gatshëm as Hygor që nuk është stërvitur me skuadrën këto ditë, si dhe dihet që mungon edhe Gligorov që është larguar para tre javësh. Këtyre mungesave u shtohet edhe ajo e Ramadanit që siç dihet është i dëmtuar dhe prej kohësh mungon në stërvitje me ekipin.

Kukësi është ende në objektivat për titullin kampion dhe do të kërkojë fitoren në Shkodër. Do të kërkojë edhe Vllaznia të njëjtën gjë?

Po, të njëjtën gjë do kërkojmë edhe ne nga ana jonë, fitoren e këtij takimi. Kjo sepse objektivat tona për momentin janë më të mëdha se ato të Kukësit.

Edhe tre javë nga fundi, sa shanse ka Vllaznia për t’iu shkëputur vendit të tetë?

Përderisa matematika na mban në lojë, ne do luftojmë deri në fund për t’iu shkëputur atij vendi.

A ka besim edhe tek futbollistët për këtë gjë?

Patjetër që kanë besim, përderisa janë aq të përkushtuar siç e thashë edhe më lart dhe duke shikuar dy takimet e fundit kam shumë besim se do ia dalim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"