“Kemi një flotë sulmuesish”, Bardhi do të shkruajë historinë: Ngjitemi në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2020 | 23:28

“Kemi një flotë sulmuesish”, Bardhi do të shkruajë historinë: Ngjitemi në Superiore

Skuadrat e Kategorisë së Parë do të njohin sot përbërjen e grupeve dhe kundërshtarin e startit të kampionatit të ri. Besëlidhja me siguri do të jetë në Grupin A dhe kurioziteti më i madh është për kundërshtarin e javës së parë. Trajneri Sinan Bardhi është optimist për grupin e futbollistëve që ka nën komandë dhe shpreson shumë se me ta do të shkruajë historinë e dekadës së fundit.

Beselidhja-goli

Optimizmin e tij tekniku kryeqytetas e shpreh në një prononcim për “Panorama Sport”, duke deklaruar: “Deri tani jemi mjaft të kënaqur me grupin e futbollistëve që kemi në dispozicion, si në paraqitjen e tyre në ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar deri tani, si në stërvitjen e përditshme.

Them se kur të nisë kampionati, që shpresojmë se do ndodhë javën e ardhshme, do jemi 100% gati. Objektivi ynë është kthimi në elitë dhe kur kam vendosur ta marr përsipër drejtimin e Besëlidhjes, e kam pasur parasysh mirë”.

GRUPET-MERKATO

Trajneri Bardhi flet më tej për kampionatin me dy grupe. “Sa i përket vijimit edhe të këtij sezoni me dy grupe, jemi të kënaqur, pasi na jepen dy mundësi për realizimin e objektivit, vendi i parë dhe ‘play off’-i. Kam besim se çfarëdo skuadre që të kemi përballë apo fushe ku do nisim kampionatin, besoj se do ta nisim me këmbë të mbarë. Kam besim te grupi i futbollistëve që kam në skuadër.

Sinan Bardhi

Për mua, futbollistët e ardhur nga merkatoja, vlejnë. Edhe sulmuesi serb i ardhur kohët e fundit është në rrugë të mbarë, pasi nga dita në ditë dhe nga ndeshja në ndeshje ka një trend progresiv të kënaqshëm. Sivjet Besëlidhja ka një flotë cilësore sulmuesish, një sektor që në të kaluarën ka çaluar disi. Tani konkurrenca për një vend titullari në sulm do të jetë e madhe dhe kjo rrit cilësinë”, tha Bardhi.

SHTYRJA

I pyetur për impaktin që ka dhënë shtyrja e kampionatit dhe se a është i drejtë bojkoti i Ligës Profesioniste, trajneri Sinan Bardhi u përgjigj:

“Deri tani për Besëlidhjen dhe për skuadrat që janë grumbulluar pak me vonesë, shtyrja ka qenë e favorshme. Me bojkotin nga Liga Profesioniste jam dakord, pasi jo vetëm futboll,i por të gjitha sportet duhet të vihen në shina ligjore njëherë e mirë”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"