“Kemi një ekip më të mirë se rivalët në luftën për mbijetesë”, Meksi: Në Durrës për gjithçka, Skënderbeu ia del pa… “play out”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2021 | 14:28

“Kemi një ekip më të mirë se rivalët në luftën për mbijetesë”, Meksi: Në Durrës për gjithçka, Skënderbeu ia del pa… “play out”

Një pikë e marrë me Tiranën duket se ka kënaqur korçarët, që tashmë janë vetëm tri pikë larg zonës “play out” dhe mund të shpresojnë më shumë për mbijetesën. Në kushte të tilla, Skënderbeu duket i bindur tashmë se nuk do të jetë ai ekipi i cili do të dalë nga kategoria. I këtij mendimi është kapiteni Jorgo Meksi, i cili pas ndeshjes me Tiranën është shprehur besimplotë se Skënderbeu i tij nuk rrezikon daljen. Për mbrojtësin e djathtë, pika e marrë ndaj Tiranës ishte e vlefshme, pavarësisht se sipas tij me pak më shumë kujdes ekipi mund të kishte bërë më shumë.

Meksi5

“Kishim një ndeshje të vështirë përballë një kundërshtari të fortë, që po kalonte një formë të mirë në javët e fundit. Normalisht në kushte të tilla na takonte ne që ta përgatisnim mirë këtë takim dhe e bëmë më së miri. Një gjë të tillë e tregoi edhe fusha e lojës. Kishim të gjitha shanset që të merrnim një rezultat akoma edhe më të mirë, por me një pikë nga kjo ndeshje, duke parë edhe rezultatet e kundërshtarëve tanë, barazimi mund të quhet me shumë vlerë për ne. Tashmë jemi tri pikë nga kundërshtari më i afërt, Bylisi dhe duke parë impenjimin dhe formën që po kalojmë, jam i bindur se ia dalim në luftën për mbijetesë”, theksoi Meksi për “Panorama Sport”.

MBIJETESA

Për sa i përket objektivit primar të Skënderbeut, kapiteni i korçarëve nuk e vuri për asnjë moment në diskutim faktin se ekipi mund t’ia dalë. Madje theksoi se janë të gjitha mundësitë që korçarët ta shmangin edhe vendin e tetë, që të çon në një ndeshje shtesë për qëndrimin në kategori. “Është edhe një fazë e plotë për t’u luajtur dhe në kushte të tilla, pikët e nevojshme janë të gjitha në lojë. Për këtë, mendoj se nuk do të jemi ne ata që do të biem nga kategoria, pasi cilësisht qëndrojmë shumë më lart se ekipet e tjera. Madje, mund të them se kemi shanse që të arrijmë mbijetesën edhe pa qenë nevoja që të shkojmë në ‘play out’. Gjithsesi, duhet të luftojmë fort dhe të mos lëmë pikë në shtëpi në vazhdim”, deklaroi mbrojtësi i krahut. GJYSMËFINALJA Për Meksin, Kupa është një objektiv i rëndësishëm, përtej problematikës në kampionat. Sipas titullarit bardhekuq, këtij kompeticioni do t’i bëhet hyzmeti deri në fund. “Kupa është një objektiv yni. Jemi në kushtet kur çdo ndeshje për ne është finale. Edhe për shkak të specifikës që këtë sezon kupa luhet me një takim, do të tentojmë gjithçka për gjithçka në Durrës”, përfundoi Meksi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"