“Kemi nevojë për garën reale”, trajneri i Elbasanit: Të fillojë kampionati, rezultatet tregojnë objektivin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 20:41

“Kemi nevojë për garën reale”, trajneri i Elbasanit: Të fillojë kampionati, rezultatet tregojnë objektivin

Elbasani është gati për të përballuar një kampionat të fortë. Skuadra verdheblu po qëndron në pritje të dritës jeshile për nisjen e tij. Në takimet miqësore të zhvilluara gjatë kësaj periudhe, elbasanasit kanë bërë një paraqitje pozitive, por ka pasur edhe momente jo të mira, sidomos me golat e pësuar. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Shkëlqim Lleshanaku thotë se e shqetësojnë mungesat prej dëmtimeve, por gjithsesi është optimist për ndeshjet zyrtare.
Leshanaku Elbasani
“Kemi pasur disa dëmtime kohët e fundit dhe shpresojmë t’i rikuperojmë deri në fillim të kampionatit. Pjesa tjetër është në rregull, ka optimizëm dhe të gjithë jemi në pritje të nisim sezonin. Nuk mund ta them nëse shtyrja na ka favorizuar apo ka qenë problem, por si të gjitha skuadrat e tjera, kemi pasur avantazhet dhe disavantazhet tona. Ne shpresojmë vetëm të fillojë sa më shpejt, sepse kemi nevojë për një garë reale dhe ndeshje zyrtare”, u shpreh fillimisht kreu i stolit elbasanase. Sa i përket ndonjë përforcimi tjetër, trajneri Lleshanaku nuk pret surpriza edhe për faktin se koha për ambientim nuk premton. Ai beson te kontigjenti që ka aktualisht në ekip.

“Prurjet e merkatos po japin maksimumin në stërvitje dhe në miqësoret që kemi zhvilluar. Jemi të kënaqur me atë që kanë dhënë, ndërkohë nuk presim afrime të tjera, sepse edhe koha për t’u ambientuar nuk është e madhe. Do të bëjmë të pamundurën me këta lojtarë. Sa i përket formacionit, sigurisht që e kam në kokë një ide, por jo gjithnjë mund ta kesh grupin të plotë. Objektivi? Të fillojmë kampionatin njëherë, rezultatet do të tregojnë edhe objektivin”, u shpreh tekniku elbasanas.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"