“Kemi mungesë pikësh”, Moçka “kërcënon” Besën: Bëjmë kthesën në Kavajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2021 | 14:22

“Kemi mungesë pikësh”, Moçka “kërcënon” Besën: Bëjmë kthesën në Kavajë

Shpëtim Moçkën e kënaq vetëm fitorja me Besën. Pavarësisht vështirësive, portieri beson se Flamurtari do të arrijë maksimumin në këtë ndeshje. Vlerëson kundërshtarin, por hapur e thotë që nuk i tremben. Edhe pse luajnë në transfertë, domosdoshmëria që kanë për pikë i ka mobilizuar kuqezinjtë.

Mocka Flamurtari

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 31- vjeçari mendon se skuadra do të kthehet shpejt në elitë, ndonëse e pranon që në Kategorinë e Parë luhet lojë e ashpër. Mungesa e merkatos i ka prishur jo pak balancat, e megjithatë gardiani paralajmëron se me grupin që kanë, do i bëjnë ballë garës.

Flamurtari luan me Besën në fundjavë. Çfarë pret Moçka nga kjo transfertë?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ne e respektojmë kundërshtarin dhe do të shkojmë në Kavajë për të marrë më të mirën. Do të japim maksimumin tonë, pasi na duhen pikët. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë dhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Por, ne jemi të vendosur dhe të përgatitur për të dhënë 100% tonë këtë takim dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Shkojmë në Kavajë të bëjmë lojën tonë, të marrim atë çfarë duam dhe normalisht me respekt ndaj kundërshtarit.

Sa e njihni ekipin e Besës?

Besoj se e njoh. Kam parë dhe studiuar disa ndeshje të kundërshtarit. Edhe gjatë analizës që kemi bërë për këtë 90-minutësh të radhës, jemi bazuar shumë te ndeshjet e fundit që Besa ka zhvilluar. Është një ekip shumë i mirë, por ne nuk i trembemi. Ne jemi Flamurtari, kemi një emër të madh dhe fanella jonë ka shumë peshë.

Çfarë vështirësish mendoni se ka Kategoria e Parë?

Është një kategori e vështirë. Ekipet dhe lojtarët luajnë futboll shumë të ashpër. Kjo gjë mendoj se e bën edhe më të vështirë futbollin në këtë ligë.

Merkato nuk bëtë dot, pasi nuk u zhbllokua kurrë. Sa ju prish punë gjë?

Ekipi ka nevojë për përforcime pasi ato asnjëherë nuk i bëjnë dëm ekipit, por e forcojnë edhe më shumë. Megjithatë, unë mendoj se edhe grupi aktualisht po rritet dita-ditës. Ne kemi shumë besim te këta djem të rinj. Ata do të jenë baza e ekipit edhe në të ardhmen. Jam i bindur se ata do t’i vijnë shumë në ndihmë ekipit.

Mendoni se do të vonojë kthimi në elitë i Flamurtarit?

Nuk mendoj se do të vonojë. Ne do të punojmë fort këtë vit që të arrijmë gjithçka.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"