“Kemi mungesa ndaj Teutës, s’kam preferenca mes Partizanit dhe Vllaznisë”, Duro: Vlen vetëm fitorja!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2022 | 11:29

“Kemi mungesa ndaj Teutës, s’kam preferenca mes Partizanit dhe Vllaznisë”, Duro: Vlen vetëm fitorja!

Debutimi me Laçin shkoi brenda prit shmërive për trajnerin Shpëtim Duro, ku në transfertën e Shkodrës kurbinasit barazuan 0-0 me Vllazninë. Sot bardhezinjtë janë para provës së kualifikimit për në finale të Kupës, ku një hap e hodhën para dy javësh në Durrës. Por trajneri Duro në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj sfide pohoi se skuadra nuk ndikohet nga ndeshja e parë, ndaj kërkon përqendrim vetëm te përballja e sotme me Teutën. Trajneri kryeqytetas nuk ka asnjë preferencë mes dy ishskuadrave, Partizani dhe Vllaznia, për t’u ndeshur në finale. Gjithsesi, fitoren që kurbinasit arritën para dy javësh në Durrës e çuan rezultat pozitiv, por për sot ai ka edhe disa mungesa, si dhe mbetet të sqarohet gatishmëria e Mazrekajt.

Shpetim Duro logo

Debutuat me barazim në Shkodër, çfarë përshtypjeje ju la ekipi në këtë takim?

E pata deklaruar edhe para ndeshjes për gazetën se barazimi në Shkodër ndaj Vllaznisë do të ishte pozitiv. Mund të merrnim edhe fitoren, por duke pasur përballë një skuadër si Vllaznia, që kërkonte edhe ajo trepikëshin, them se ishte një barazim pozitiv, pasi i la shkodranët në të njëjtat pozita.

Skuadra nën drejtimin e trajnerit Josa e ka hedhur një hap drejt kualifikimit në Kupë. Si e shikoni përballjen e sotme me Teutën?

Rezultatin e ndeshjes së parë nuk e shikoj si avantazh, pasi për vetë mënyrën e Kupës gjithçka përfundon pas dy ndeshjeve. Kur të mbarojë ndeshja e dytë, atëherë do të shikojmë që u kualifikuam apo jo. Pra, çdo raund i Kupës ka dy ndeshje për t’u interpretuar, ku njërën e kemi mbyllur, patjetër është një rezultat pozitiv. Por unë e shikoj sikur çdo gjë në këtë tur gjysmëfinal fillon nga e para me takimin e sotëm me Teutën.

Duke parë edhe kundërshtarët që janë në lojë, sa shanse ka Laçi për ta fituar Kupën?

Kur vjen puna në momentet e fundit, të gjithë kanë dëshirë që ta fitojnë Kupën, por e rëndësishme për momentin është që të kalosh në finale. Pastaj finalja nuk ka asnjëherë garanci, pasi është vetëm një ndeshje. Por për ne si Laç e rëndësishme është që të mendojmë vetëm për gjysmëfinalen e dytë me Teutën, pastaj kemi kohë për situatat në vazhdim.

Cilën nga dy ish-skuadrat, Partizani dhe Vllaznia, do të dëshironit ta kishit si kundërshtar të Laçit në finale të Kupës?

Si Partizani dhe Vllaznia janë skuadra të traditës në futbollin shqiptar, kështu që në këtë aspekt nuk kam ndonjë preferencë. Por po e përsëris sërish, ne duhet të jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës me Teutën.

Nga lojtarët që kanë pasur probleme dëmtimesh, si Harmon, Malota dhe Mazrekaj, cili mund t’ia dalë për sot dhe në çfarë gjendje e keni ekipin?

Kemi probleme për këtë takim. Malota do të mungojë për dy javë, sigurisht që është një mungesë e rëndësishme për ne. Harmoni dihet që vazhdon të jetë në fazë rikuperimi. Por edhe Turkaj doli i dëmtuar ndaj Vllaznisë, kështu që i kemi këto tri mungesa. Ndërsa Mazrekaj është kthyer në stërvitje dhe do ta monitorojmë deri para takimit gjendjen e tij për të parë nëse është rikuperuar 100%.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"