“Kemi më shumë rivalë”, Kalulu: T’u tregojmë se cilët janë kampionët e Italisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 22:17

“Kemi më shumë rivalë”, Kalulu: T’u tregojmë se cilët janë kampionët e Italisë

I qetë, i saktë dhe shumë i shpejtë. Fiks siç ishte përshtatje e tij te Milani. Pier Kalulu është 22-vjeç dhe synon të “kapë” Botërorin me Francën pasi kapi dhe po mban formacioni e Milanit kampion Italie. Qëllime të qarta për mbrojtësin, i cili ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Corriere dello Sport”.

KALULU 1

Si ishte atmosfera në skuadër pas humbjes me Napolin?

Detajet bënë diferencë dhe ne humbëm tri pikë. Paraqitja ishte e mirë, ndaj duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga ajo disfatë.

A janë Juventusi dhe Interi rivale titulli edhe pse s’janë në formë?

Pioli na e thotë çdo ditë që sivjet ka për të qenë më e vështirë. Kjo kuptohet edhe nga detajet që po bëjnë diferencën në çdo ndeshje. Jemi kampionë në fuqi dhe duhet ta dëshmojmë. Unë mendoj se titulli do të jetë i luftuar deri në fund dhe ne do të tentojmë të mbërrijmë të parët në finish.

Jeni penduar që zgjodhët Italinë dhe jo Anglinë?

Seria A është e nënvlerësuar dhe në Francë mendojnë se në Itali luajnë vetëm në mbrojtje. Gjërat kanë ndryshuar. Ekipet luftojnë fizikisht, manovra nis nga portieri dhe taktikisht çdo skuadër është e nivelit të lartë. Ka një konkurrencë të frikshme.

Si ndodhi transferimi juaj te Milani?

Epo jo çdo mbrojtësi të ri i ndodh që të marrë një telefonatë nga Paolo Maldini. Më bindi duke më premtuar se do të kisha mundësi të tregoja talentin tim dhe ashtu ndodhi. Tani flasim shpesh dhe jam mësuar, por në fillim mezi arrija ta shihja në sy. S’e kam parë shumë të luajë, por për rolin e mbrojtësit ai mbetet një pikë referimi.

Çfarë këshillash ju jep Maldini?

Më ka dhënë këshilla për stilin e të mbrojturit në varësi të fazave të lojës ose si markohet një tipologji e caktuar sulmuesish. Është shumë i pranishëm, por pa ndërhyrë në rolin e trajnerit.

Keni ndonjë idhull?

Jo, por frymëzohem nga lojtarë si Tiago Silva, Van Dajk dhe Kulibali. Mundohem të vjedh më të mirën nga gjithkush.

Cili është roli juaj ideal?

Qëllimi im është që të jem i aftë të mbuloj sa më tepër role, duke e bërë në mënyrën më të mirë. Kur zbres në fushë e bëj për të qenë më i miri. Pak rëndësi nëse luaj qendërmbrojtës apo në krahë.

Si ka mundësi që jeni kaq i qetë?

Kam besim në cilësitë e mia dhe punoj fort çdo ditë për t’u rritur. Në futbollin e sotëm ka shumë rëndësi menaxhimi i ndjesive, e megjithatë në debutimin tim në “San Siro” më dridheshin këmbët.

Po Zhiruja çfarë ju thotë?

Edhe ai më ndihmon për të deshifruar sulmuesit rivalë. Është një njeri fantastik dhe sulmues i madh. Nuk habitem që shënon shumë. Sa për fanellën me numër 9, ai te mallkimi nuk besoi kurrë.

Përse Adli po has kaq shumë vështirësi?

Me Jacinin njihemi prej vitesh sepse kemi qenë bashkë në kombëtaret e moshave te Franca. Qasja ka qenë e duhur dhe cilësitë nuk i mungojnë. Shumë shpejt do të dalë në pah dhe do të fitojë minutazh.

Ndjeheni më mirë krah Tomorit apo Kjaerit?

Janë dy kampionë dhe konkurrenca me ta më bën mirë. Kemi nevojë që të tre për njëri-tjetrin. Të gjithë japim maksimumin për njëri-tjetrin.

Çfarë meritash ka Pioli në rezultatet e skuadrës?

Në të tilla nivele çdo aspekt ka shumë rëndësi. Trajneri është kërkues dhe e vlerësoj për qëndrimin që mban. Di të të vlerësojë, por edhe të të kritikojë. Është shumë i përgatitur dhe motivues i zoti.

Si ndjehet një i ri me Zlatan Ibrahimoviçin si shok skuadre?

Në fillim është mbresëlënëse sepse më të kisha luajtur më parë, por në “Play Station”. Por atëherë e kupton se nëse ai është ende në këto nivele, kjo ndodh sepse punon shumë çdo ditë. Ai na e përcolli këtë frymë, e cila na ndihmon edhe kur ai nuk është në fushë.

Si e imagjinoni përballjen e dyfishtë me Çelsin në Champions?

Uroj që të jenë me ne Rebiçi dhe Origi. Edhe De Ketelare pres të na ndihmojë më shumë. Çelsi do të jetë një test për të treguar forcën tonë. Historia e Milanit nuk na rëndon, përkundrazi është një motivim më shumë për mua. Nuk do të jetë e lehtë, por të gjithë në skuadër jemi të lumtur që kemi mundësinë për të ngritur emrin e Milanit në panoramën europiane të futbollit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"