“Kemi më shumë fjalë se punë”, Karapici: Ja pse zgjodha Tiranën, titulli në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 20:30

“Kemi më shumë fjalë se punë”, Karapici: Ja pse zgjodha Tiranën, titulli në fund

Artan Karapici, prej dy muajsh është krahu i djathtë i Orges Shehit. Lojtari, i cili më parë është aktivizuar me shumë skuadra në Superiore, në një intervistë për “Panorama Sport”, ndihmëstrajneri i Tiranës rrëfeu përse zgjodhi bardheblutë, si e ka parë skuadrën kampione dhe çfarë pret në të ardhmen.

artan karapici

Keni firmosur me Tiranën. Një aventurë e re për karrierën tuaj si trajner?

Mund të them që kur m’u propozua oferta, në radhë të parë e prita me kënaqësi. Të punosh për Tiranën është krenari. Është një stad tjetër dhe për këtë e prita me shumë kënaqësi. Deri tani jam shumë i kënaqur.

Ju jeni nga ata që nuk keni luajtur asnjëherë me Tiranën. Si e shihni këtë ambient?

Me Tiranën është e vërtetë që nuk kam luajtur asnjëherë. Ndoshta duhet ta kisha bërë këtë lëvizje dhe të firmosja me Tiranën. Në Shqipëri dihet: kur je nga jashtë ambientit, fjalët janë ndryshe me realitetin që ti gjen. Kam gjetur një situatë pozitive si nga stafi, qoftë nga komplet drejtuesit, si dhe lojtarët që janë pjesë shumë e rëndësishme e një aventure.

Cili ishte iniciatori që ju kaluat te Tirana?

Orges Shehi është kryesori, ai që i shkoi mendja dhe më bëri ofertën. Për karrierën time është një lëvizje e mirë. Kur je futbollist nuk i mendon se gjërat do të shkojnë kaq lart, por tani që je pjesë e futbollit dhe kur lidhesh me futbollin nuk mund të bësh ndryshe.

Si e keni parë Tiranën sezonin e shkuar dhe Tiranën e Europës që kishit së bashku me Shehin në dorën tuaj?

Mund të themi se është një ndryshim radikal, mes Tiranës së sivjetshme dhe me Tiranën e vjetshme. Duke marrë parasysh që kanë ikur lojtarë, gati 50 për qind e ekipit titullar dhe një prurje po aq pozitive dhe po aq me vlerë lojtarësh të këtij sezoni, them se mund të kishim bërë më mirë në Kupat e Europës.

Ama kur luan në Europë, qoftë edhe me shtete të vogla, sepse ne themi Luksemburgu është i vogël, por ata investojnë, siç bëjnë edhe në Bosnjë dhe kjo u pa edhe në fushë. Ndeshjet e Europës janë takime që zgjidhen me episode, ndryshe nga kampionati që është rrugë e gjatë. Them se përqendrimi në disa episode mund të kishte qenë më i mirë nga ana jonë.

Një skuadër vitet e fundit nuk e ka bërë. Mund ta mbrojë Tirana titullin kampion edhe këtë sezon?

Objektivat e Tiranës janë gjithmonë Kupa, kampionati, Superkupa e Shqipërisë. Vijmë nga titulli dhe këtë vit do të luftojmë për këtë objektiv. Me atë që kam parë këto dy muaj, them se loja na ngroh shumë për këtë objektiv. Mbi të gjitha, e treguam edhe në sfidën me Teutën, si dhe në takimet e para. Fati ndonjëherë është me ty, ndonjëherë kundër teje, por ky është futbolli. Për një trajner është pozitive kur ekipi prodhon lojë.

Ju nuk keni luajtur me Tiranën. Si është derbi mes dy kampeve?

Nuk e kam provuar ende derbin si trajner. Si lojtar kam luajtur me moshat, por derbi i madh është goxha ndryshe. Eksperiencë e re, por jemi profesionistë. Aty ku punon, do të japësh më të mirën. Emocionet do t’i shoh si do të jenë, duke pasur parasysh edhe stadiumin e ri. E presim me goxha padurim dhe do të japim më të mirën.

Mbiemri Karapici s’kishte si të mos ishte pjesë e Tiranës?

Është koincidencë. Kur futemi te rruga e kompleksit “Skënder Halili” është rruga “Bedri Karapici”. E shoh gjithmonë kur hyj. Është kënaqësi shumë e madhe. E thashë edhe më lart. Nga jashtë shumë gjëra duken ndryshe. Nuk e po e them gogol, por siç i bëjmë ne. Fjalët i kemi më të mëdha se punën. Kam gjetur ambient pozitiv dhe që më ka pritur mirë. Po punojmë fort që të arrijmë objektivat që kemi. Në fund të vitit do të jemi ne ata që do të triumfojmë në kampionat.

Dy ndeshje jo, por fituat bindshëm me Teutën?

Kur je te Tirana dhe ke objektiv fitimin e çdo ndeshje, kritika do të kesh gjithmonë. Kritikues ndaj ekipit kemi qenë për rastet që ne nuk i materializojmë. Dalim para porte dhe nuk shënojmë. Nuk është kollaj të ndërtosh ekip për dy muaj dhe të ndryshosh stilin e lojës e të përshtatësh djemtë me diçka të re. Kur vjen frymë e re, duhet pak kohë. E kemi treguar që në ndeshjen e parë me lojë. Tani po vijnë edhe rezultatet. Siç erdhën. Dhe me derbin rezultatet nuk do të ndalen.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"