“Kemi më shumë cilësi, e testuam veten me ekipe elite”, Resuli: Fitojmë ndaj Luftëtarit, nuk pajtohem me barazimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 10:43

“Kemi më shumë cilësi, e testuam veten me ekipe elite”, Resuli: Fitojmë ndaj Luftëtarit, nuk pajtohem me barazimin

Dritan Resuli nuk i druhet Luftëtarit. E vlerëson kundërshtarin për emrin dhe historinë që ka, por fitoren nuk e diskuton. Trajneri mendon se ka kualitete mjaftueshëm në organikë, që do të dinë të bëjnë diferencën në studimin “Gjirokastra”. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, qartëson se kanë rival vetëm veten dhe askënd tjetër. Kërkon maksimumin të dielën dhe nuk do të pajtohej as me barazimin.

RESULI

Kjo fundjavë rikthen Luftëtari-Flamurtari, ku përballen dy ekipe që kanë lënë shenjë në elitë. Jeni gati?

E kemi vlerësuar shumë këtë ndeshje, pasi Luftëtari është ekip me traditë. Ka pasur lojtarë me shumë vlera dhe me eksperiencë. Kjo gjë na rrit përgjegjësinë që në këtë 90-minutësh të paraqitemi sa më denjësisht.

I druheni Luftëtarit?

Ne nuk i frikësohemi asnjë skuadre, por ndeshjet me një kundërshtar të tillë na shtojnë më shumë motivimin. Nuk i druhemi aspak. Ndeshjen e kemi vlerësuar në maksimum. Kemi një skuadër të plotë pasi na kthehen edhe lojtarët e penalizuar nga kartonët. Ndeshjen e kemi përgatitur në mënyrën më të mirë të duhur për maksimumin. Marrja e maksimumit në çdo ndeshje e lehtëson punën që të kthehemi sa më shpejt në vendin që na takon.

Mendoni se jeni më lart se kundërshtari?

Flamurtari këtë sezon ka një grup shumë të mirë. Lojtarët njihen kush janë, komentet janë të tepërta. Kanë eksperiencën dhe kualitetin. Kanë vite që bëjnë diferencën në elitën e futbollit shqiptar.

Do të “pajtoheshit” me një barazim, meqenëse luani në transfertë?

Nuk na tolerohet asnjë rezultat tjetër përveç maksimumit.

Cilët shikoni si rivalë në këtë grup, Devollin, Labërinë…?

Nuk shikojmë të kemi rivalitet me ndonjë skuadër. Kundërshtar kemi vetëm veten tonë.

Ju bind ky Flamurtar për ngjitjen?

Veten e kemi testuar edhe me ekipet e Superiores dhe unë kam besimin e plotë te grupi. Do të vazhdojmë rrugën të sigurt drejt ngjitjes.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"