“Kemi lënë pas gjithçka të keqe, do të fitojmë sërish Kupën”, rikthehet Gurishta: Gati për të thyer Partizanin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2022 | 12:57

“Kemi lënë pas gjithçka të keqe, do të fitojmë sërish Kupën”, rikthehet Gurishta: Gati për të thyer Partizanin!

Më 19 shkurt në “Air Albania” u dëmtua në një ndeshje kundër Partizanit për kampionat dhe tashmë pas 52 ditësh vuajtjeje, Erdenis Gurishta do të rikthehet në fushë, pikërisht ndaj të kuqve në ndeshje gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Dje kapiteni i kuqebluve doli para mediave për të shprehur besimin absolut që ka se skuadra do të bëjë kthesën e madhe, duke arritur të kualifikohet në finale. Ai vlerëson momentin që po kalojnë “demat”, por nga ana tjetër ka bindjen se shkodranët do të kthehen te ndeshjet më të mira dhe fitoret.

GURISHTA 1

Erdenis, të hënën bëtë një mesazh domethënës ndaj tifozëve në rrjetet sociale. Si e prisni ndeshjen me Partizanin?

E ndjeva që ta bëja një mesazh të tillë. Jemi në një moment delikat dhe e dija që vetëm me ndihmën e tifozëve ne do t’ia dalim. Kemi kaluar periudhë jo të mirë, por me ta në krah, kam mendimin se do të arrijmë që të jemi në finalen e Kupës dhe të bëjmë më të mirën tonë. E ndjeva që duhet ta bëja këtë thirrje dhe pres që stadiumi të jetë plot.

Sa ju ka munguar ekipi në këtë periudhë, pasi u bë që prej 19 shkurtit që nuk luani?

E kam ndier shumë mungesën e ekipit. E kam përjetuar shumë në tribuna dhe stol ku kam qenë. Por, dëmtimi që pësova s’ka qenë i lehtë. Tani mendoj se ka kaluar dhe sot do të jem në fushë. Besoj që bashkë me shokët do t’ia dalim.

Situata në ekip është përkeqësuar javët e fundit. Si e shpjegoni?

Është e vërtetë që u përkeqësua. Ndodhën shumë gjëra bashkë. Gjendja psikologjike e ekipit ishte e rënduar. Humbja me Tiranën u përjetua shumë keq dhe gjendja fizike u rëndua. Mungesat e shumta bënë punën e tyre, por kemi lënë gjithçka pas. Pra, kemi hedhur gjithçka pas shpine dhe po mendojmë vetëm për takimin me Partizanin, që të arrijmë në finale dhe të përsërisim suksesin e vitit të kaluar.

Nga Partizani te Partizani, pasi për herë të fundit keni qenë në fushë më 22 shkurt në “Air Albania” ndaj të kuqve…

Po, jam dëmtuar me Partizanin dhe kthehem me Partizanin. Shpresoj që të jem në gjendjen time optimale dhe të jem në fushë që të ndihmoj shokët e ekipit. Nuk jam në 100% tim, por e ndiej se duhet të jem në fushë të marr përgjegjësitë e mia dhe gjithë së bashku të shkojmë në finale.

Jeni përgatitur edhe për kohën shtesë apo penalltitë?

Të them të drejtën, nuk e kam menduar as kohën shtesë dhe as penalltitë. Unë besoj dhe jam i bindur se do të kualifikohemi. Sot do të ketë vetëm një rezultat dhe do të jetë fitorja jonë. Këtë jam munduar t’ia injektoj edhe skuadrës. E di shumë mirë që është kthyer ai Partizani cinik dhe i frikshëm, por ne kemi shumë besim dhe jemi të bindur për të fituar dhe për të qenë në finale.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"