“Kemi halle më të mëdha se Tirana”, Gilman Lika: E mposhtim Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2020 | 21:27

“Kemi halle më të mëdha se Tirana”, Gilman Lika: E mposhtim Partizanin

Barazimi nuk e largon nga zona e rrezikut Vllazninë, ama mundi ia vlen edhe për moral. Të ndalësh një Kukës pretendent dhe për më tepër në transfertë nuk është e lehtë dhe për këtë arsye kapiteni Gilman Lika sheh me optimizëm nga e ardhmja. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, mesfushori beson te mbijetesa pa pasur nevojën e një përballjeje shtesë, pasi me grupin që kanë në përbërje meritojnë më shumë sesa pozicioni aktual.gilman lika

Edhe pse kjo pikë ishte një “asist” i madh edhe për Tiranën, për shkodranin hallet e ekipit të tij aktual janë më të mëdha sesa të bardhebluve. Ai beson se edhe kthesa nuk do të vonojë, aq sa paralajmëron fitoren kundër Partizanit.

Sa vlen kjo pikë për Vllazninë?

Sigurisht që vlen. Është një pikë që shërben në aspektin moral, sepse erdhi përballë një ekipi si Kukësi. Të jem realist, një barazim nuk është shumë për ne, por duke ditur ekipin që luajtëm ndaj vendit të dytë që ka një grup shumë të mirë dhe pretendente për titullin kampion, mund te them se jemi të kënaqur. Por, e theksoj më shumë vlen për moral, sesa ndikimi në renditje.

Gjithsesi, kjo pikë ju mban në zonën “e ftohtë”. Çfarë duhet të ndryshoni në vazhdim për të marrë fitoret?

Thjesht duhet të zhvillojmë ndeshjet si kjo e sotmja (djeshmja) me Kukësin. Personalisht jam i bindur se po të luajmë kështu, edhe fitoret do të vijnë shumë shpejt dhe do të marrim pikët që na duhen për klasifikimin.

Ndeshja e radhës me një tjetër kundërshtar të vështirë, me Partizanin. Çfarë prisni?

Të gjitha ndeshjet të vështira janë, në fakt. Me Partizanin di të them që duhet të bëjmë maksimumin për të marrë tri pikët dhe kam besim se do t’ia dalim, edhe pse nuk do ta kemi të lehtë.Vllaznia festa e golit Gilman Lika

Ndalët Kukësin, duke i bërë një “asist” Tiranës…

Të them të drejtën, ne kemi hallin tonë në këto momente. Jemi më në hall sesa Tirana, kështu që jemi të përqendruar për të marrë maksimumin e pikëve. Realisht jemi në një zonë që nuk duhet të jemi.

Mendoni se në fund Vllaznia do të mbijetojë, pa pasur nevojën e një ndeshjeje shtesë?

Nuk kam dëshirë të flas para kohe, por e kam thënë që ne nuk kemi një ekip që është për këtë renditje.

VLADIMIR MEMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"