“Kemi grup shumë cilësor për kampionatin shqiptar”, Hoti: Mezi pres të takoj tifozët e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 23:33

“Kemi grup shumë cilësor për kampionatin shqiptar”, Hoti: Mezi pres të takoj tifozët e Partizanit

Mesfushori Engjëll Hoti, u largua nga kampionët e Tiranës, në përfundim të sezonit, për t’iu bashkuar Partizanit në këtë merkato verore.

Hoti

Mesfushori 25-vjeçar, i formuar te moshat e Shtutgart në Gjermani, ka dhënë së fundmi një intervistë për mikrofonin e klubit, ku ka rrëfyer këtë aventurë te Partizani.

PËRSHTYJET E PARA PËR SKUADRËN DHE PRITJA E SHOKËVE TË RINJ- Çunat më kanë pritur shumë mirë, gjithë stafi teknik. Kemi çuna të rinj, me cilësi të mëdha dhe lojtarë me eksperiencë. Jemi stërvitur shumë mirë këto ditë dhe po e shikoj grupin shumë cilësor për kampionatin shqiptar.

ZGJEDHJA E PARTIZANIT- Nuk ka qenë e vështirë që të vija këtu, është një klub shumë i madh në Shqipëri, dihet çfarë tifozeri ka dhe traditat e tij. Klubi më ka pritur shumë mirë. Më kanë ardhur dhe shumë mesazhe të mira nga tifozët në rrjetet sociale. Mezi pres t’i takoj në stadium.

GOLI ME FANELLËN E PARTIZANIT DHE PRITSHMËRITË- Së pari i falënderoj çunat e ekipit, trajnerin dhe drejtorin për besimin që më kanë dhënë. Prej ditës së parë e kam ndjerë veten shumë mirë këtu. Normalisht kur e ndjen veten mirë do të japësh maksimumin në fushë. Goli i parë me fanellën e Partizanit, më ka dhënë një ndjenjë shumë të mirë. Do të jap në çdo ndeshje maksimumin për të shënuar sa më shumë gola dhe për të dhënë sa më shumë asiste për ekipin.

MESAZHI PËR TIFOZËT- Mbështjeja nga tifozeria është shumë e madhe, gjithë Shqipëria e di, ne të gjithë çunat do të japim maksimumin në çdo ndeshje do të luftojmë për fitore dhe të shpërblejmë tifozerinë”, u shpreh Hoti.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"