“Kemi goditur me gjashtë afrime, por erdhën… vonë”, Bruka: I morëm pa stërvitje, duan kohë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2022 | 11:45

“Kemi goditur me gjashtë afrime, por erdhën… vonë”, Bruka: I morëm pa stërvitje, duan kohë

Alban Bruka “qan” afrimet e vonuara. Vlerëson çdo lojtar që ka ardhur në merkato, e megjithatë ndihet i penalizuar. Florian Trokthi, Eldi Gjuzi, Klejdi Dibra, Samet Hepaj, Icaro Freire Nunes dhe Artur da Silva janë pas me stërvitjen dhe integrimi me grupin do të kërkojë edhe pak kohë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” trajneri shpreh këtë shqetësim, por nuk harron që të analizojë ciklin 5-javor të përgatitjeve të verës. Për këtë fazë është planifikuar edhe një miqësore, e cila do të jetë e pesta në radhë. Kundërshtarë kanë zgjedhur Korabin dhe takimi do të luhet në stadiumin e Lezhës prej orës 16:00.

BRUKA BESELIDHJA

“Po mbushen pesë javë nga dita e startit të fazës përgatitore. Gjatë kësaj periudhe ekipi është stërvitur intensivisht, duke u karikuar gradualisht me energjitë që i duhen.

Merkatoja e verës nisi pak vonë për Besëlidhjen dhe kjo na penalizoi disi. Gjashtë futbollistët e planifikuar na erdhën të pastërvitur.

Besoj se gjatë këtyre dy javëve që kemi në dispozicion edhe ata do të karikohen mjaftueshëm dhe do të integrohen plotësisht me grupin.

Përveç Florian Trokthit dhe Eldi Gjuzit, një kontingjent shumë cilësor janë dy shkodranët Kledi Dibra dhe Samet Hepaj si dhe dy brazilianët Artur da Silva dhe Icaro Freiere Nunes.

Nga dita në ditë, kjo gjashtëshe futbollistësh po integrohet kënaqshëm.

Nesër (sot) kemi planifikuar një miqësore ndaj Korabit në stadiumin tonë, ku do të testojmë në ngarkesë të plotë kryesisht futbollistët e ardhur për llogari të merkatos.

Tani që kemi mësuar edhe kalendarin, pa humbur kohë do të nisim edhe stërvitjen për llogari të transfertës cërrikase. Ne do të hyjmë në startin e kampionatit si ekip pretendent dhe kam besim të plotë se kjo Besëlidhje do ta justifikojë.

Sa i përket seleksionimit, ai do të bëhet çdo javë, pasi pjesë e formacionit bazë do të mbeten vetëm ata futbollistë që bindin”, përfundoi Bruka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"