“Kemi familje, nuk është e drejtë të luhet”, UEFA dëgjon lutjen e Kontes dhe i anulon ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2021 | 22:47


“Kemi familje, nuk është e drejtë të luhet”, UEFA dëgjon lutjen e Kontes dhe i anulon ndeshjen

Apeli i sotëm i Antonio Kontes nuk ka rënë në vesh të shurdhër. Një situatë e paprecedent te Totenhem me infektim masiv të lojtarëve dhe stafit bëri që trajneri të dilte sot në konferencë për shtyp dhe të kërkonte nga UEFA që të anulonte ndeshjen e Ligës së Konferencës ndaj Ren, gjë që u zyrtarizua në darkë.

konte

“Kemi familje, nuk është e drejtë të luhet. Shkojmë në stërvitje dhe rezultojnë lojtarët negativ, të nesërmen janë pozitivë dhe kanë kontaktuar me persona të tjerë. Kam vetëm 11 lojtarë në dispozicion, kjo nuk është normale”, ishte apeli që bëri Konte para mediave gjatë konferencës së sotme.

Në darke, UEFA mori vendimin që ndeshja e Ligës së Konferencës ndaj skuadrës franceze, të shtyhej për një datë tjetër, pasi ishte e pamundur që të luhej në kushte të tilla, sepse do të humbte plotësisht besueshmëria e turneut.

Tani mbetet të shihet se kur mund të luhet kjo ndeshje, pasi është e rëndësishme për vijimësinë e turneut pasi Totenhem është me pikë të barabarta me Vitesen dhe luan për vendin e dytë në grup që çon në play-off.

PANORAMASPORT.AL