“Kemi ende defekte, por po i korrigjojmë”, Nertil Hoxhaj: Dua Superioren, i thash direkt “po” Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2021 | 19:51

“Kemi ende defekte, por po i korrigjojmë”, Nertil Hoxhaj: Dua Superioren, i thash direkt “po” Besës

Nertil Hoxhaj ishte ai që i hapi udhë merkatos së kavajasve për këtë sezon. Kur të gjithë ishin skeptikë, ai nuk hezitoi të besonte te plani i presidentit Nexhat Bizhdili dhe i tha “po”. Pas një muaji ai është i bindur në zgjedhjen që ka bërë dhe këtë e thotë hapur gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. Mbrojtësi ka luajtur titullar në të gjitha miqësoret e zhvilluara, duke paralajmëruar se do të jetë ndër pikat kyçe të Besës.

nertil hoxhaj

Ishit ju që e hapët merkaton e Besës, e patët të vështirë të thoshit “po”?

Jo vetëm unë, por të gjithë e njohin dhe e dinë historinë dhe vlerat e Besës. Në këtë kuotim nuk hezitova dy herë t’i them “po” ofertës së presidentit Bizhdili, duke ditur që ai i përkrah dhe mbështet shumë futbollistët. Më vjen mirë që pas meje u afruan edhe lojtarë të tjerë me përvojë, por edhe të rinjtë që gjeta në ekip më bindin po aq shumë. U ndjeva mirë këtu që ditën e parë kur më mirëpritën e vlerësuan. Tashmë më mbetet mua t’ua shpërblej në fushën e lojës.

U bë një muaj në Kavajë dhe pas jush kanë ardhur emra me peshë në merkato. Tani që grupi u plotësua, çfarë mendimi keni për këtë Besë?

Në përbërje ka futbollistë që i njoh prej vitesh, sepse kanë karrierë të gjatë e të suksesshme në disa klube, flas për afrimet e merkatos. Por, sikurse thashë më lart, “të rinjtë” tashmë nuk konsiderohen tani të tillë, pasi kanë një kampionat mbi shpinë. Thënë ndryshe, është një gërshetim me mjaft vlera mes përvojës dhe freskisë së moshës së re. Kjo u dëshmua edhe në miqësoret që kemi zhvilluar.

Meqë cituat miqësoret, sa i kënaqur jeni me paraqitjet e ekipit?

Përtej fitoreve, sipas meje, ekipi tregoi edhe mangësi gjatë 90 minutave. Janë defekte që po korrigjohen përditë në stërvitje. Besoj se deri më 11 shtator, gjithçka do të jetë gati dhe grupi do të jetë 100% i plotë dhe i gatshëm për të nisur betejën e parë të një lufte që do zgjasë shumë. Por ne e dimë çfarë kërkojmë dhe i njohim mënyrat për të arritur suksesin.

A ka skuadra më nevojë për përforcime?

Përtej prurjeve vërtet cilësore dhe që do të na vlejnë shumë, mendoj se çdo ekip nuk thotë asnjëherë “jo” kur bie fjala për përforcime. Sipas gjykimit tim, mirë do të ishte të kishim një stol po kaq të fortë e solid sa formacioni. Do të jetë garë e gjatë dhe ka dëmtime e dënime. Megjithatë, edhe nëse nuk pritet më asnjë futbollist, jam i bindur se grupi është i plotë, i aftë të arrijë objektivat që kemi.

Çfarë pret nga sezoni 2021-2002 Hoxhaj?

Kur ekipi ka sukses, atëherë edhe ti ndihesh pjesë e tij. Në këtë kuptim do të jap maksimumin tim që ekipi të ngjitet në Superiore dhe pasi ta arrijmë këtë, atëherë edhe Hoxhaj do të thotë: Bëra diçka për Besën.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"