“Kemi ekip kompakt, i shkojmë deri në fund Kupës”, Emiliano Vila: Jemi në formë, e mposhtim Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 12:18

“Kemi ekip kompakt, i shkojmë deri në fund Kupës”, Emiliano Vila: Jemi në formë, e mposhtim Dinamon

Mesfushori i Teutës, Emiliano Vila, mendon se ekipi i tij është duke bërë mirë në këtë start, por sipas tij s’ka vend për eufori. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, titullari i durrsakëve beson se do t’i rikthehen fitores që në ndeshjen ndaj Dinamos, të cilën e luajnë të shtunën në stadiumin e Rrogozhinës. Durrsakët e dinë që përballë kanë një kundërshtar të fortë, madje është vetë Vila që e thekson këtë. Megjithatë, kjo nuk e pengon mesfushorin që të besojë te tri pikët pas atij barazimi heroik në Shkodër ndaj Vllaznisë me 10 lojtarë. Fillimisht sot kampionët në fuqi do të angazhohen në Kupë për turin e parë ndaj Luzit në transfertë. Trajneri Edi Martini do të hedhë në fushë lojtarët që janë aktivizuar më pak në dy javët e para. Në bisedën për gazetën, teksa u pyet për Kupën, Vila pranoi se është një nga objektivat e Teutës. Durrsakët ia dolën të triumfojnë dy vite më parë në këtë kompeticion për të nisur më pas një rrugë të suksesshme.

Vila

Emiliano, nga fitorja me Partizanin te barazimi ndaj Vllaznisë. Ju kënaq ky start apo duhet të bënit më tepër?

Ishin dy rezultate të mira radhazi, por kënaqësia lejohet me pikatore në këtë fillim kampionati. Kemi bërë një start deri diku të kënaqshëm, megjithatë na presin shumë sfida dhe duhet të jemi me këmbë në tokë.

Në dy ndeshjet e para skuadra ka shënuar, mendoni se goli do të jetë një problem i zgjidhur këtë sezon?

Efektiviteti vjen nga dëshira që ne kemi për futbollin, për stërvitjen dhe ekipin e Teutës. Unë e kam thënë edhe me parë, që gjithkush e kupton atë që duhet të bëjë dhe lavdi Zotit çunat janë në momentin më të mirë. Jemi të përqendruar maksimalisht dhe punojmë me dëshirë për të dhënë më të mirën në fushë. Ky mendoj se është sekreti i kësaj forme që po kalojmë.

Do të keni përballë Dinamon të shtunën. Çfarë ndeshje prisni?

Normalisht është një ndeshje e vështirë. Edhe ne, edhe ata, i dëshirojmë tri pikët. Kemi dy ditë që po stërvitemi dhe po e vlerësojmë maksimalisht këtë takim. Dinamo është skuadër që pavarësisht se ka ndryshime rrënjësore ka bërë mirë në këtë fillim kampionati. Kanë kontingjent që japin maksimumin në fushë.

Është momenti të triumfoni dhe të jeni ju të parët?

Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, kurajën dhe shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë që kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë.Jemi të përgatitur dhe duke parë angazhimin që çunat kanë në stërvitje, jam besimplotë për fitore.

Është Kupa në synimet e Teutës këtë sezon?

Kupa është një arsye më tepër dhe një kënaqësi e madhe. Ashtu sikurse ekipet e tjera të Superiores edhe ne kemi të njëjtën dëshirë, ta fitojmë dhe kupën. Do të përballemi me ekipe të mira dhe që i respektojmë maksimalisht. Frikë nuk kemi nga asnjë skuadër, por do të jemi dinjitozë me këdo për t’i shkuar deri në fund edhe këtij kompeticioni që e kemi fituar edhe në vitet e kaluara.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"