“Kemi disiplinë taktike, por duhet punë për golin”, Gega: Do të jemi gati për Volfsburgun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2020 | 15:55

“Kemi disiplinë taktike, por duhet punë për golin”, Gega: Do të jemi gati për Volfsburgun

Skënder Gega ka mbetur i kënaqur nga mënyra se si skuadra i është përgjigjur në stërvitje. Ai shesh shpresë në prag të ndeshjes me Volfsburgun, e cila do të zhvillohet më 17 shtator në stadiumin “Air Albania”. E megjithatë, trajneri i Kukësit nuk ngurron që të nxjerrë në pah edhe ndonjë të metë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” ai foli edhe për miqësoren e fundit që skuadra e tij zhvilloi në Durrës ndaj Llapit të Podujevës. Ai vlerësoi pozitivisht lojtarët e rinj që aktivizoi dhe nuk ngurroi që t’i komplimentojë për lojën.
Skender Gega
“Ishte një test që na shërbeu. Luajtëm në një mënyrë që kjo miqësore t’i shërbejë datës 17 shtator, kur dhe përballemi me Volfsburgun. Ekipi luajti me disiplinë taktike, duke e ditur se çfarë kundërshtari do kemi në Ligën e Europës. Provuam dy formacione të ndryshme nga 45 minuta dhe të dyja bënë mirë gjatë lojës. Të gjithë të rinjtë që u aktivizuan në pjesën e dytë dhanë sinjale shumë të mira dhe mendoj se do të japin një kontribut në sezonin e ri që po vjen. E përgjithshmja ishte pozitive nga kjo miqësore që zhvilluam”, ka thënë fillimisht tropojani i stolit të verilindorëve.

RASTET E HUMBURA
KUKESI LLAPI

Kukësi krijon shumë, por shpërdoron po aq. Ashtu si ndaj Slavias së Sofies, ndodhi edhe në miqësoren e së dielës ndaj Llapit. Sulmuesit e verilindorëve humbën disa raste të pastra për gol, ndonëse Skënder Gega bëri prova me të dy qendërsulmuesit. Në pjesën e parë aktivizoi si titullar nigerianin Eze, ndërsa në të dytën ganezin Kuper. “Shpërdoruam disa raste dhe për këtë duhet të punojmë çdo ditë. Deri më 17 shtator do punojmë fort, që të jemi 100 % fizikisht si ekip”, përfundoi trajneri i Kukësit. Ndërkohë, në testin e fundit munguan dy titullarë si Obanor dhe Musolli. Të dy kishin probleme fizike dhe stafi mendoi të mos i aktivizonte duke iu frikësuar ndonjë dëmtimi të mundshëm. Për momentin të gjithë lojtarët janë OK dhe asnjë nuk ka probleme serioze që mund të vënë në dyshim praninë në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Europës. E veçanta e testit të fundit ishte se në mungesë të kapitenit, shiritin e mbajti Vesel Limaj (në një kohë që deri vjet e kishte Valon Ethemi).

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"